Dhunë në futbollin shqiptar, gjyqtari kryesor goditet në kokë, përfundon në spital

Kontetimet verbale i lenë vendin dhunës në futbollin shqiptar. Episode jo të rrallë, të cilëve vështirë t’i gjendet ‘ilaçi’. Fundjava është njollosur nga disa prej tyre të shëmtuara, ku gjyqtarët e ndeshjeve ishin në shënjestër.

Përveç problemeve që pati kryesorja Emanuela Rusta të shtunën në ‘Loro Boriçi’ të Shkodrës, pas takimit Vllaznia-Egnatia (2-2), në Delvinë tifozët shkuan edhe më larg, duke goditur dhe plagosur me sende të forta kryesorin e sfidës kundër Elbasanit.

Në minutën e 50-të të takimit, gjyqtari kryesor Xhulio Agolli, u godit me sende të forta gjatë një kontestimi të ashpër për një 11-metërsh, që vendasit e kërkuan gjatë. Episodi ku një lojtar vendas u rrëzua në zonën e Elbasanit, u bë shkas që lojtarët të rrethonin arbitrin ndërsa ai u godit në kokë.

Gjyqtari Xhulio Agolli u dërgua menjëherë në spital për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa sfida nuk rifilloi më edhe pse gjendja shëndetësore e arbitrit nuk ishte në rrezik për jetën. Sipas rregullores, AF Elbasani pritet ta fitojë 3-0 në tavolinë ndeshjen./Dosja