Dhuna ndaj trajnerit të Arbërisë, Visoka: Gjatë tërë ndeshjes jam fyer, jam pështyrë dhe goditur me gurë e çadra shiu

Në ndeshjen Vushtrria-Arbëria sot ka pasur dhunë nga një grup i tifozëve të ekipit vendas.

Tifozët e Vushtrrisë kanë tentuar të sulmojnë fizikisht trajnerin e Arbërisë, Megzon Visoka.

Në një prononcim për Reporteri.net, Visoka ka treguar se gjatë tërë ndeshjes është fyer, pështyrë dhe në fund të ndeshjes është goditur me gurë e çadra shiu. Por, fatmirësisht Visoka ka shpëtuar për lëndime.

“Sot të them të drejtën nuk mund ta kuptojë sjelljen e publikut vendas, sepse ishte një ndeshje pa shumë tensione brenda fushës një lojë fer dhe korrekte nga të dyja palët.”

“Gjatë tërë ndeshjes për 95 minuta jam fyer në mënyrën më banale të mundshme nga një grup huliganësh të cilët besojë se nuk ia duan të mirën as klubit të tyre, jam pështyrë vazhdimisht e shumë gjëra të tjera të cilat as që i kisha imagjinuar të ndodhin sot.”

“Unë fatmirësisht kam shpëtuar pa ndonjë lëndim (jam goditur me gjësende të ndryshme, çakmak, çadër shiu dhe gurë) dhe aty pastaj ka pas tendencë edhe të futen në fushë në ato momente të sulmit, por për fatin e mirë nuk ndodhi ajo.”

“Askush nga futbollistët nuk është lënduar sepse siç thash gjithçka ka qenë fer dhe korrekt nga ana e futbollistëve , hiq 2-3 episode pas ndonjë ndërhyrje të ashpër gjë e cila është më se normale.”

“Une nuk e kuptojë se për çfarë u sulmuan dhe u fyem vazhdimisht gjatë 95 minutave jo vetëm unë por e gjithë bankina. Sido që të jetë me ketë punë duhet të merren seriozisht organet kompetente dhe njëherë e mirë të jepen dënime të ashpra dhe meritore në mënyrë që të vetëdijesohen ata të cilët dëmtojnë imazhin e futbollit tonë dhe shkaktojnë dhunë në stadiumet e futbollit”, tha Visoka.

Ndeshja mes Vushtrrisë dhe Arbërisë përfundoi me rezultat 1:1.