Detyrimi nga Vuçiqi dhe SNS-ja: Kompania e transportit anulon dy linja autobusësh nga Mitrovica për në Beograd

Kompania e transportit “Kolashin prevoz” ka anuluar linjën e sotme të rregullt nga Mitrovica për në Beograd, me nisje në ora 17:00, si dhe atë të mesnatës në ora 00:45, njofton portali Kossev.

“Të nderuar pasagjerë, ju njoftojmë se më 25 maj është anuluar nisja nga Mitrovica e Kosovës për në Beograd në ora 17:00, thuhet në njoftimin e parë dhe në vijim vazhdohet: Të nderuar pasagjerë, ju njoftojmë se me datë 26 maj, nisja nga Mitrovica për në Beograd është anuluar në orën 00:45. Faleminderit për mirëkuptimin”.

Nuk ka informacione nëse ka anulime të nisjeve nga Beogradi për në Mitrovicë për këto dy linja.

Ndërmarrja që ka monopolin e transportit nga veriu i Kosovës, megjithatë nuk e ka deklaruar arsyen e anulimit.

Në veri të Kosovës, ditët e fundit janë përpiluar listat e punëtorëve që do të marrin pjesë në tubimin në mbështetje të Aleksandër Vuçiqit në Beograd, të shpallur si “miting i shpresës”.

Shumica e punëtorëve të ndërmarrjeve publike në veri të Kosovës, të cilët me autobus shkojnë për në Beograd, do të nisen sonte, e ka edhe të tillë që tashmë kanë mbërritur me transportin e tyre.