Detaje të reja janë zbardhur nga krimi i rëndë që ndodhi më 9 tetor në Livoç të Ulët të Gjilanit, ku dy persona mbetën të vrarë dhe një tjetër u plagos rëndë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se Policia ka pranuar informatën për të shtëna me armë rreth orës 14:26, ndërsa njësitë relevante dhe ekipet emergjente janë nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes.

Në vendngjarje është gjetur pa shenja jete Egzon Bugujevci, ndërsa Mazllum Bugujevci është gjetur i plagosur rëndë dhe është dërguar me autoambulancë për trajtim emergjent.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, vetura e të dyshuarit ishte larguar nga lokacioni, çka ka bërë që Policia të aktivizojë menjëherë “Unazën e Çeliktë” për lokalizimin e tij.

Por vetëm 16 minuta pas raportimit të rastit, rreth orës 14:42, i dyshuari Valon Ramushi është vetëdorëzuar në Stacionin Policor.

Ramushi u ka deklaruar policëve se veturën e kishte lënë në oborrin e Emergjencës. Brenda saj është gjetur bashkëshortja e tij, Nafije Bugujevci, e cila pas konstatimit nga ekipi mjekësor rezultoi pa shenja jete.

Sipas dyshimeve të para të hetuesve, Valon Ramushi dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij dhe Egzon Bugujevcin, ndërsa një person tjetër është plagosur.

I dyshuari është marrë në intervistim nga Hetimet Rajonale, ndërsa njësitë relevante kanë vazhduar përpunimin e vendit të ngjarjes dhe sigurimin e zonave të lidhura me rastin.

Rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”, ndërsa hetimet për motivin dhe dinamikën e plotë të ngjarjes po vazhdojnë.