Policia e Kosovës ka njoftuar për vdekjen e një personi përgjatë ditës së djeshme, i cili është plagosur me armë zjarri nga zyrtarët policorë.
PK, në raportin e përditshëm, ka bërë të ditur se ai po trajtohej në QKUK për plagët e marra.
“Rr. Abaz Shehu, Prishtinë 08.05.2022 – 09:10. Lidhur me rastin, me 31.05.2022 personi që ishte duke u trajtuar në QKUK, ka vdekur. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftim.
Përgjatë bastisjes të shtëpisë së të ndjerit gjatë muajit të kaluar, policia kishte konfiskuar një arsenal armësh.
“Prishtinë 08.05.2022-09:10. Pas disa të shtënave me armë zjarri të raportuar më parë, policia me autorizimin e Prokurorit të Shtetit , ka bërë kontrollimin e shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të dyshuarit mashkull kosovar. I dyshuari ka kanosur me armë zjarri zyrtarët policorë duke ua kanosur jetën drejtpërdrejtë, me ç rast në vetmbrojtje dhe për të vënë situatën nën kontrollë njëri nga zyrtarët ka përdorur armën ndaj të dyshuarit. Si dëshmi materiale janë sekuestruar : pesë pistoleta, një AK-47, 694 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, 58 gëzhoja dhe 4 predha. I dyshuari është duke u trajtuar në QKUK dhe nën sigurimin e policisë”, u bë e ditur në njoftimin e muajit të kaluar.







