Një punëtor i sigurimit fizik të kompanisë të cilën e ka kontraktuar New Co Ferronikeli, ka ndërruar jetë duke dalur nga vendi i punës.

Vdekja dyshohet se ka ardhur nga shkaqe natyrore, si pasojë e një ataku, shkruan Ballkani.info.

Ballkani.info ka mësuar se viktima është Asllan Zogaj, 63-vjeçar nga Malisheva, ndërsa punonte për kompaninë e sigurimeve “Kings” të cilët sigurojnë objektin e NewCo Ferronikelit.

Madje, ai kishte filluar punën vetëm 3 javë më parë, teksa sot pasi kreu ndërrimin në dalje të fabrikës dyshohet se pësoi një sulm dhe vdiq, ndonëse intervenimi i stafit mjekësor të Ferronikelit ishte i menjëhershëm, mundësia për ta shpëtuar nuk ekzistonte.

Lajmin e ka konfirmuar për Ballkani.info, zëdhënësi i kompanisë “New Co Ferronikeli”.

Lidhur me interesimin tuaj, ju konfirmojmë se sot një punëtor i kompanisë së sigurimit fizik që është e kontraktuar nga NewCo Ferronikeli për shërbime të sigurisë, pas perfundimit të orarit të punës në dalje e sipër nga kompleksi, ka ndërruar jetë.

Vdekja dyshohet të ketë qenë natyrore si pasojë e një komplikimi akut shëndetësor. Ekipi kujdestar mjekësor i kompanisë sonë ndërhyri menjëherë për ndihmë emergjente, por, për fat të keq, i ndjeri ishte pa shenja jete.

Kompania jonë ka informuar organet kompetente për rastin, të cilat kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

NewCo Ferronikeli shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij në kompaninë ku shërbente.

Faleminderit!

/BALLKANI.INFO/