Kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj dhe dy zëvendëskryeministrat, Behgjet Pacolli dhe Fatmir Limaj tash më shumë se një orë janë mbyllur në presidencë me Thaçin.

Burime te Ballkani.info kanë thënë se ky takim është thirrur nga presidenti në mënyrë që të gjendet zgjidhja që taksa të pezullohet në afat sa më shpejt, në të kundërtën Kosova rrezikon seriozisht marrëdheniet me Amerikën.

“Po shihen modelitetet që taksa të pezullohet sa më shpejt. Kosova ka marrë tashmë sinjale të qarta nga Uashingtoni se taksa duhet pezulluar, jo hequr, menjëherë. Pezullimi i taksës do t’i ripahte bisedimet me Serbinë në mënyrë që marrëveshja finale të përmbyllet shpejt”, ka thënë një burim i afërt me takimin.

Një burim tjetër, i ka thënë portalit tonë se kryeministrit Haradinaj ka afat të qartë që deri të hënën ta pezullojë taksën, në të kundërtën do të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare brenda 45 ditësh.

Ndërsa, burime të afërta me kryeministrin kanë thënë për Ballkani.info se Haradinaj nuk ka disponim që taksa të pezullohet pa marrë garanci të fuqishme nga SHBA-të që ndarja apo korrigjimi i kufirit nuk do ta jetë pjesë e bisedimeve me Serbinë.

Këtë javë janë intensifikuar takimet mes krerëve të koalicionit, pas presionit të vazhdueshëm që taksa 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe ato nga Bosnja të hiqet. Paradite, në Presidencë, krerët e shtetit kanë takuar ambasadorin amerikan, Philip Kosnett. /Ballkani.info/