Rrëmbim

Detaje nga rrëmbimi i të riut në Prishtinë: Borxhlinjtë e rrahën dhe ia morën veturën për 200 euro që s’i ktheu

Huazimi i 200 eurove dhe moskthimi i të hollave që ia kanë kërkuar tre persona i ka kushtuar me rrëmbim një 21-vjeçari në Prishtinë.

Dy persona që dyshohen se janë përfshirë në këtë rast tashmë ndodhen në prangat e Policisë, teksa një tjetër është shpallur në kërkim.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se të dyshuarit që janë kapur janë Adhurim Pacolli dhe Ardit Kelmendi, ndërsa i dyshuari që ndodhet në arrati është Leondrit Kryeziu.

Por si ndodhi rasti?

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i riu është rrëmbyer të dielën në mbrëmje nga tre persona, afër shtëpisë së tij në Hajvali, ku është marrë me dhunë nga të dyshuarit dhe është dërguar në një fshat të Prishtinës.

Siç mëson Sinjali, tre të dyshuarit, të cilët kërkonin nga i riu paratë që ua kishte marrë, e kanë sulmuar fizikisht të njëjtin si “hakmarrje” e madje edhe e kanë kërcënuar seriozisht me një armë të gjatë.

Për të mos mbaruar me kaq, sipas të njëjtave burime, të dyshuarit më pas kanë vendosur që t’ia marrin veturën viktimës, si “kompensim” në vend të 200 eurove dhe të njëjtin e kanë kthyer sërish te shtëpia e tij.

Posa rasti është denoncuar, njësitë policore janë vënë në lëvizje për të identifikuar të dyshuarit, dy prej të cilëve janë prangosur – teksa shtëpitë e tyre kanë qenë cak i bastisjeve.

Si rezultat i kontrolleve që janë kryer, janë gjetur çelësi i veturës së viktimës, një armë dhe dëshmi të tjera, që janë sekuestruar si prova lidhur me rastin.

Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me rastin dhe më pas janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve dhe dorëzimin e kallëzimit brenda afatit ligjor, ndërsa hetimet për kapjen e të dyshuarit të tretë po vazhdojnë.