Kuvendi i Kosovës sot ka zgjedhur Dardan Vuniqin anëtar të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e Fakultetit Juridik të UP-së.

Në votimin e fshehtë kanë marrë pjesë 90 deputetë, ku 49 vota mori Dardan Vuniqi dhe 36 Emine Avdyli-Pozahari, ndërsa 5 vota ishin të pavlefshme.

Vuniqi do të ketë mandat pesëvjeçar si anëtar i KPK-së.

Emine Abdyli-Pozhari është gruaja e analistit Xhevdet Pozhari, i njohur për qëndrimet pro pushtetit.

Ajo ishte propozuar me rekomandim nga radhët e Fakulteteve Juridike publike.

Emërimi i anëtarit të ri joprokuror në KPK vjen pasi Kuvendi i Kosovës e kishte shkarkuar nga pozita Agron Bekën, një profesor juridik që ushtronte këtë pozitë në Këshill.

Beka u shkarkua më 15 dhjetor të vitit të kaluar pas rekomandimit të Komisionit Parlamentar për inicimin e shkarkimit të anëtarit Agron Beka, të udhëhequr nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi.

Partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK nuk morën pjesë në votim. Deputetët e shumicës votuan pro shkarkimit të Bekës.

Arsyetimi për shkarkimin e Bekës ishte se ai ka bërë shkelje etike dhe se qëndrimi i mëtutjeshëm i tij në KPK “është imazh i keq për Kuvendin e Kosovës”.

BONUS VIDEO| Flet pronari i shtëpisë që ia ngriti përmendoren Albin Kurtit në Peran të Podujevës. Sabahudin Uka