Në mungesë të akuzuarve Meriton Hasani dhe Xhevdet Bejta, ka dështuar të mbahet seanca fillestare e paraparë për të enjten, në Gjykatën Themelore ne Mitrovicë, dega ne Skenderaj, në rastin ku së bashku me ta, për mashtrim dhe falsifikim të certifikatave të veteranëve, po akuzohen edhe Ali Syla, Salih Ademi, Muhamet Ademi dhe Sabit Kabashi.

Sipas gjyqtarit Rafet Ismajli, i akuzuari Hasani i është shmangur fletëthirrjes nga gjykata, andaj ka bërë të ditur se ndaj tij do të lëshohet urdhëresë për shoqërim nga policia, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa për të akuzuarin Bejta, gjyqtari Ismajli tha se në shkresat e lëndës rezulton se ai nuk e ka pranuar ftesën nga gjykata, për shkak të një gabimi në adresën e tij, për çka tha se i njëjti do të thirret përsëri në mënyrë të rregullt.

Seanca e së enjtes u shty për 15 gusht 2019 në ora 10:00.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 12 qershor 2019, kishte ngritur aktakuzë ndaj Meriton Hasanit, Ali Sylës, Salih Ademit, Muhamet Ademit, Sabit Kabashit dhe Xhevdet Bejtës, me arsyetimin se përmes certifikatave të veteranit të luftës të falsifikuara, pesë prej tyre kishin arritur të fitonin pensionin e veteranit.

Sipas aktakuzës, Meriton Hasani së bashku me Burim Hysenin i kishte falsifikuar certifikatat e veteranëve tek Burim Hoxhaj në Malishevë, për pesë të akuzuarit e tjerë.

Në aktin akuzues, thuhet se Hasani kishte arritur që nga ata të merrte para në shumat prej 300 euro e deri në 1,500 euro, për sigurimin e këtyre dokumenteve, për çka akuzohet për mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve.

Ndërsa pesë të akuzuarit Ali Syla, Salih Ademi, Muhamet Ademi, Sabit Kabashi dhe Xhevdet Bejta, sipas aktakuzës, përmes këtyre certifikatave kishin aplikuar për pensionin “veteran i luftës”, duke fituar nga 170 euro pension mujor.

Nga këto pensione, në aktin akuzues thuhet se ata kishin arritur të fitonin nga 1,300 euro deri në 1,600 euro, deri në momentin kur atyre iu kishte ndërprerë ky pension, pas verifikimit të të dhënave prej Zyrës nga çështjet e dala të UÇK-së, ku kanë rezultuar si “veteranë të rrejshëm”.

loading…