Dështon marrëveshja e Shkëndijës me Ardian Nuhiun, Orges Shehi së shpejti kuqezi

Zhvillim i papritur te Shkëndija e Tetovës, që ende nuk e ka zyrtarizuar trajnerin për sezonin e ri.

Ndonëse pak ditë më parë u raportua që drejtuesit e klubit tetovar ishin shumë pranë marrëveshjes me Ardian Nuhiun, orët e fundit mediet në Maqedoninë e Veriut raportojnë së palët nuk kanë rënë dakord për një pikë në kontratë, që ishte e panegociueshme si nga trajneri ashtu edhe nga klubi.

Në këto kushte, kryesia e Shkëndijës ka nisur bisedimet me Orges Shehin e Tiranës, madje palët thuajse kanë rënë dakord për gjithçka, por firma në kontratë do të hidhet pas përfundimit të finales së Kupës së Shqipërisë, Tirana – Egnatia

Gjithsesi, duhet pritur edhe disa ditë për të konfirmuar gjithçka, pasi klubi i Shkëndijës në disa raste ka treguar se ndryshon vendim në minutën e fundit.

Duhet theksuar se Shkëndija ka qenë në negociata me Orges Shehin edhe verën e kaluar, pasi fitoi titullin me Tiranën, por në fund trajneri durrsak (ka drejtuar në Superiore edhe Skënderbeun e Kukësin) nuk lëvizi nga kryeqyteti pas bisedave të gjata me presidentin e bardhebluve, Refik Halili.