Dështojnë negociatat, protestuesit në Leposaviq thonë se nuk tërhiqen

Ish-kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiq, ka thënë se ende nuk kanë arritur marrëveshje me forcat e rendit dhe se do të vazhdojnë të qëndrojnë te ndërtesa e Komunës së Leposaviqit, deri në plotësimin e tyre.

Ata po kërkojnë që Njësia Speciale e Policisë së Kosovës dhe kryetari i ri të largohen nga objekti i Komunës.

Todiq bashkë së bashku me ish-deputetin serb, Slavko Simiq, më herët janë lejuar të kalojnë kordonin e formuar nga pjesëtarët e KFOR-it dhe të diskutojnë për kërkesat e tyre. Por negocimi ka përfunduar pa sukses.

Sot, e marte, kanë vazhduar protestat në tri komunat e veriut të Kosovës, për kundërshtimin e hyrjes së tre kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale.

 Numri i protestuesve sot është më i ulët. Edhe sot janë sulmuar gazetarët dhe ekipet mediale, por nuk ka pasur përplasje mes autoriteteve dhe protestuesve.

Të hënë në orët e pasdites situata ka eskaluar në Zveçan, ku, pas një përplasjeje të trupave të KFOR-it me protestuesit, kanë mbetur të lënduar 30 ushtarë të KFOR-it .