Dështojnë bisedimet mes ekipit kombëtar dhe Federatës së SHBA-së për paga të barabarta

Ekipi kombëtar i vajzave i Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë bërë të ditur se janë ta gatshme ta dërgojnë padinë për diskriminim kundër Federatës së Futbollit të SHBA-së në gjykatë, pasi që bisedimet mes tyre nuk u treguan të suksesshme.

Vajzat e SHBA-së e nisën padinë ligjore kundër Federatës së Futbollit të SHBA-së për paga të barabarta në mars, katër muaj para se ta mbronin titullin e kampiones së botës.

Këto dy palë – ekipi i vajzave dhe Federata – u takuan këtë javë në Nju Jork, mirëpo bisedimet mes tyre nuk shkuan ashtu siç ishte shpresuar.

“Ne e nisëm këtë javë me plot shpresë. Ne po i mbyllim këto takime me zhgënjim të madh në tentimin e Federatës për t’i vazhduar sjelljet dhe kushtet diskriminuese në vendin e punës”, ka thënë zëdhënësja e lojtareve, Molly Levinson.

Të gjitha 28 futbollistet e ekipit kombëtar të SHBA-së e kishin nisur këtë padi ligjore, me pretendimin se ato paguhen shumë më pak se djemtë e ekipit kombëtar të SHBA-së, përkundër që vajzat e kanë fituar dy herë radhazi trofeun e Kupës së Botës, ndërsa djemtë as nuk janë kualifikuar në këtë turne.

Në korrik, Federata e Futbollit e SHBA-së tha se ekipi i vajzave është paguar më shumë sesa djemtë gjatë dekadës së fundit.

Vajzat, të cilët e fituan trofeun e katërt të botës këtë verë në Francë, u përgjigjën duke thënë se këto shifra ishin të rreme dhe e akuzuan federatën për mashtrim.

Më vonë, këto dy palë u pajtuan të fillojnë bisedimet për ta gjetur një zgjidhje, mirëpo këto takime rezultuan të pasuksesshme dhe tani vajzat do ta vazhdojnë padinë e tyre nëpër gjykata.

loading…