Dështimi i Rozeta Hajdarit, shtatë agjenci pa kryeshefë dhe vakante pozitën e sekretarit

Komplet dikasteret më të rëndësishme të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë janë pa drejtues. 7 agjenci, sekretari dhe disa drejtori janë duke funksionuar me ushtrues detyre e disa nga ta edhe kundërligjshëm.

Disa nga kryeshefët e agjencive në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë janë shkarkuar e nuk janë zëvendësuar me konkurse dhe disa të tjerëve u ka skaduar mandati.

Ndërsa, pozita e sekretarit, që është vakante gati që dy vite është, po ashtu, me Ushtrues Detyre dhe atë e mban Irfan Lipovica, shkruan Demokracia.com.

I pari që kishte pësuar nga pushteti i Vetëvendosjes ishte kryeshefi i Agjencisë së Metrologjisë, Ferki Fejza, i cili ishte shkarkuar nga pozita e drejtuesit të këtij institucioni. Pasi ishte formuar një komision me kërkesë të ministres së MINT, Rozeta Hajdari, Fejza ishte larguar komplet nga shërbimi civil.

Që nga korriku i vitit 2021 kur edhe u shkarkua Fejza, AMK-ja ka mbetur me Ushtrues Detyre. Po kalon edhe muaji i 8-të që nga shkarkimi i Fejzës e procesi i përzgjedhjes së kryeshefit të ri ka dështuar. Ligji për Shërbimin Civil e parasheh që pozitën e Ushtruesit të Detyrës, një zyrtar nuk mund ta mbajë më shumë se 6 muaj.

Pa drejtues ose me Ushtrues Detyre është edhe Agjencia e Standardizimit. Para tre muajve është shkarkuar nga pozita kryeshefi i kaluar dhe deri tani nuk kanë nisur procedurat e rekrutimit, pasi konkursi publik nuk është shpallur për këtë pozitë, raporton Demokracia.com.

Edhe Agjencia për Pronësi Industriale është pa kryeshef. Kryeshefit të kaluar i ka skaduar mandati, ndërsa tash drejtohet nga Isa Dukaj, në kundërshtim me ligjin, pasi pozita e tij në MINT është udhëheqës, jo drejtor. Për ta drejtuar një agjenci shtetërore, zyrtari të paktën duhet të ketë pozitën e drejtorit me koeficient 10 dhe Dukaj nuk e ka.

Vakant është edhe pozita e kryeshefit të Agjencisë për Promovimin e Investimeve të Huaja, KIESA, pasi kryeshefit të kaluar i ka skaduar mandati. Ushtrues Detyre në pozitën e kryeshefit të KIESA-së, ministrja Rozeta Hajdari e ka vendosur Zef Dedajn. Duke shkelur të gjitha ligjet dhe duke i anashkaluar të gjithë stafin e KIESA-s, Hajdari ka vendosur Dedajn në pozitën e kryeshefit nga pozita e Udhëheqësit të Divizionit për Politika Tregtare.

Po ashtu edhe një agjenci e rëndësishme e shtetit, që funksionon në kuadër të MINT-it është me Ushtrues Detyre. Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve është me Ushtrues Detyre, pasi kryeshefes së kaluar i kishte skaduar mandati para disa muajve, raporton Demokracia.com.

Edhe agjencia e fundit, e shtata, aq sa ka edhe ministria është me Ushtrues Detyre. Hajdari pasi kishte shkarkuar nga pozita e kryeinspektorit Lulzim Sylën, në këtë pozitë e ka emëruar Lebibe Halitin, motrën e deputetit të Vetëvendosjes, Enver Haliti.

Gjithsej shtatë agjenci që i ka kjo ministri, tash për tash janë me Ushtrues Detyre dhe që të gjitha i raportojnë direkt ministres Hajdari. Sipas ligjit, për këto pozita duhet të hapet konkursi dhe njërin nga tre emrat, ministrja e dërgon në Qeveri për votim. Por, deri më tani, përveç për Agjencinë e Metrologjisë që ka nisur procesi dhe ka ngecur, për asnjë agjenci tjetër s’ka asnjë konkurs.

Me Ushtrues Detyre është edhe pozita më e rëndësishme në këtë ministri pas pozitës së ministres.

Zyrtari Kryesor Administrativ apo sekretari i ministrisë është duke u drejtuar me Ushtrues Detyre tash e një vit gati.

Irfan Lipovica është duke mbajtur pozitën e U.D sekretarit që nga koha kur është krijuar Qeveria Kurti II. Duke shpërfillur ligjin, Hajdari ende s’ka nisur procedurat e konkursit për ta përzgjedhur ligjërisht një sekretar për ta drejtuar ministrinë.

Në Ministrinë e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë janë edhe një mori drejtorish që janë duke u drejtuar kundërligjshëm nga zyrtarë që nuk i plotësojnë kriteret ligjore.

Rasti konkret është me Departamentin e Turizmit, që drejtohet nga zyrtarja Lumturije Geci.

Geci pozitën e saj e ka zyrtare për politika turistike, por që në fakt mbi supe mban pozitën e U.D. Drejtoreshës së Departamentit, që sipas Ligjit për Shërbimin Civil është shkelje ligjore.

Gjithashtu njëri nga departamentet kryesore në ministri, ai i Tregtisë është me Ushtrues Detyre. Drejtoresha që kishte drejtuar këtë departament për vite me radhë, Sytrime Dervisholli, ka dhënë dorëheqje, ndërsa pozita e saj ende nuk është zëvendësuar.

Edhe Departamenti i Integrimeve Evropiane në këtë ministri është me Ushtrues Detyre.

Demokracia.com ka dërguar pyetje para më shumë se 2 javëve në MINT për të kërkuar sqarime se pse krejt këto pozita janë me U.D. dhe pse s’po nisin procedurat e rekrutimit, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje.

Përveç dështimit të menaxhimit të agjencive, Hajdari ka dështuar edhe në investimet kapitale në këtë ministri. /Demokracia.com/