Ramadan Limaj

Dëshmitari thotë se u kërcënua në seancë nga i akuzuari Sami Kurteshi, ky deklaron se s’tha asnjë fjalë

Në gjykimin ku anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi po akuzohet për sulm ndaj të dëmtuarit Adnon Berisha në selinë e KQZ-së, me të filluar seanca, dëshmitari Ramadan Limaj tha se u kërcënua nga i akuzuari Kurteshi.

“Mos më këqyr edhe mos ma luaj kryet, më kërcënoi prej asaj pjesës po e luan kryet, gjykatës … nuk ka nevojë me m’kërcënu me ma lu kryet”, tha dëshmitari Limaj.

Ndërkaq, Kurteshi tha se “asnjë fjalë s’e fola”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, në këtë seancë, në cilësi të dëshmitarit u dëgjua i dëmtuari Berisha, i cili tregoi ngjarjen se si kishte ndodhur në ditën kritike.

Sipas tij, ka qenë kohë pandemie dhe atë ditë ishin duke përgatitur sallën e mbledhjes së KQZ-së në të cilën do të mbahej një takim i Komitetit të Auditimit, ndërkohë që nga kryeshefi i KQZ-së kishin marrë urdhëresë që asnjë person mos të futet në objekt pa maskë.

Ndërsa, nga auditori i KQZ-së ai tha se i ishte kërkuar një nder që të pranishmit për takimin e lartcekur t’i shërbejë me kafe, duke shtuar se maskën e kishte pasur të vendosur në pjesën e fytit.

“Aparati i kafesë gjendej në korridor dhe posa kam dalë duke u mbush kafet për t’i servu futet në objektin e KQZ-së edhe i pandehuri dhe pasi më shikon dy herë, më drejtohet me dy fjalë radhazi të njëpasnjëshme “djalo ku e ki maskën, “djalo vendos maskën”, unë s’e kam dëgju fare, kam vazhdu të bëj punën time që isha duke e bo te aparati kafesë”, tha Berisha.

Sipas tij, pasi mori kafet në dorë, i dëmtuari tha se pranë tij ishte afruar i akuzuari Kurteshi dhe me një lloj ‘rebelizmi’ i ishte drejtuar edhe me fjalën “ec përjashta”.

“Dhe pastaj më është kthyer nga prapa në shpinë, nuk kam qenë aspak i përgatitur më ka goditë në pjesën e epërme të kraharorit duke me thënë “ec përjashta”, mendimi im ishte që është duke shku drejt sallës dhe krejt papritmas ndodhi sulmi, ka fillu menje ton të lartë me bërtite, duke mendu gjëja edhe të më frikësojë dhe të më shtyjë me forcë për të dalë jashtë”, deklaroi Berisha.

Duke u përgjigjur në pyetjet e të akuzuarit Kurteshi, Berisha deklaroi se kafet të cilat i kishte mbajtur në dorë, nuk ishin derdhur nga goditja sepse sipas tij ato nuk kishin qenë të mbushura plot.

Pas këtij sulmi, ai tha se kishte përjetuar ndjenja poshtëruese dhe kishte pasur doza shqetësimi, për çka ishte detyruar të kërkojë edhe ndihmë mjekësore.

“Kam qenë i detyruar të shkojë në emergjencë në Shtëpinë e Shëndetit në Drenas, ku kam marrë një dozë qetësimi. Kjo ka qenë rreth orës 1 pas mesnate që për të posedoj edhe provat faktike me të cilat jam drejtuar gjyqtarit të rastit dhe prokurorit të shtetit”, ka thënë ai.

Sipas tij, ai ishte udhëzuar që të vazhdojë trajtimin e tij edhe në raportin e neuropsikiatrisë dhe për dy javë rresht kishte përdorur edhe medikamente për qetësim.

“Sepse frika nëse do më sulmonte dikush papritmas nga njerëzit e të pandehurit sa vinte e shtohej dhe tek pas dy jave kam pasur vizitën e fundit tek po i njëjti doktor dhe më është thënë që je në rregull, faza e traumës psiqike, shqetësime të dhimbjes shpirtërore tashmë kishte kaluar”, theksoi Berisha.

Por, i njëjti mohoi të ketë pasur ndonjë kërcënim eventual nga vetë i akuzuari apo nga kushdo qoftë tjetër.

Sipas të dëmtuarit, shtyrja apo sulmi ndaj tij nga i akuzuari Kurteshi, ka qenë më shumë se një herë.

“Kujtoj që ka qenë dy herë, për të tretën nuk më kujtohet, më pas kom dalë jashtë”, tha ai.

Kurse, dëshmitari Ramadan Limaj pohoi se kishte dhënë deklaratë në Polici, pranë të cilës ai tha se qëndron në tërësi.

Limaj theksoi se ditën kritike kishte shkuar në objektin e KQZ-së për të rregulluar disa dokumente dhe aty në korridor kishe parë një përplasje tepër të rëndë.

Sipas dëshmitarit Limaj, i akuzuari Kurteshi kishte sulmuar dy djem të ri, për të cilët tha se tani është hera e parë në gjykatë që po i sheh.

“Ky zotnia i ka sulmu dy djem të ri, mundeni me i pa incizimet, mundeni m’i pa kamerat, tashti sun futem në detaje unë, ky i mëshoi ashtu ky i mëshoi kështu, por ishte një gjendje tepër e rëndë”, tha Limaj.

Sipas tij, aty kishte dëgjuar edhe fyerje e sharje të ndryshme.

“Ka fy, ka sha, ka pas përplasje të atyre dyerve, unë kom fol aty me ton të lartë, se kanë dalë gjithë punëtorët dilshin, po kur e shihshin të pandehurin prapë u kthejshin brenda”, tha ai.

Ndër këto fyrje e sharje, ai tha se kishte dëgjuar edhe fjalët “qen, lopë”, e të tjera.

Prokurori Eset Rama, ia kujtoi një deklaratë në Polici, ku kishte thënë se e kishte parë të akuzuarin Kurteshi duke e goditur me dy duart përnjëherë njërin nga dy djemtë që ishin në sigurim dhe e ka shtyrë dhe e ka qit jashtë korridorit. Limaj tha se qëndron pranë asaj deklarate.

“E kom pa Sami Kurteshin me një sjellje tepër arrogante” tha po ashtu Limaj, duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Sabit Sadikaj.

Me propozim të të akuzuarit Kurteshi, seanca e sotme u ndërpre, ndërsa paraprakisht nga palët në procedurë është dhënë edhe fjala hyrëse dhe i akuzuari Kurteshi u deklarua i pafajshëm edhe në shqyrtim gjyqësor.

Ndryshe, aktakuza e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila e ngarkon të akuzuarin Sami Kurteshi me veprën penale “Sulmi”, rezulton të jetë përpiluar më 21 dhjetor 2021.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Kurteshi po akuzohet se më 25 gusht 2021 në selinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Prishtinë, me dashje përdor forcën ndaj të dëmtuarit Adnon Berisha.

Aktakuza thotë se derisa i dëmtuari Berisha ishte duke iu shërbyer me kafe dhe pa vendosur maskë, fillimisht i pandehuri i drejtohet me fjalët “djalo ku e ki maskën?” dhe pasi që i dëmtuari nuk përgjigjet, atëherë i pandehuri Kurteshi e kapë për krahu të dëmtuarin duke e tërhequr dhe duke i bërtitur me fjalët “ec jashtë” dhe e shtynë nga mbrapa me dy duart.

Me këtë, Kurteshi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulm” nga neni 184, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Ndryshe, më 25 gusht 2021 ishte raportuar se Policia e Kosovës (PK) ka nisur hetimet ndaj Sami Kurteshit, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), si i dyshuar se ka sulmuar një person.