Dëshmitari në gjykimin ndaj Salih Mustafës thotë se nuk e dinte se çfarë ishte BIA

Gjatë përgjigjeve në pyetjet e prokurorit Cezary Michalczuk, dëshmitari Ahmet Ademi ka thënë se nuk e dinte se çfarë ishte BIA, por se për të kishte dëgjuar nga qytetarët të cilët shkonin të merrnin ndihma në zyrat e Kryqit të Kuq.

“Çfarë ka qenë BIA unë nuk e di po këto e kom dëgjua prej popullatës kur vishin tek zyrat tona me marren materialet, i kom dëgjua që BIA, BIA, i kom pyet çka është më kanë thënë që e ushtrisë, po tash çfarë ushtrisë unë nuk e di. A ka qenë fjala për ushtarë të UÇK, unë ato e kom ni tek zyrat e kryqit të kuq”, tha ai.

Fillimisht dëshmitari ka thënë se ishte e saktë që as ai e as anëtarët e familjes së ngushtë të tij nuk kanë qenë pjesë e UÇK-së, por se ai vetëm se i ka shërbyer qytetarëve kur ndër ta kanë bërë pjesë edhe ushtria.

“Ne si Kryq i Kuq, nuk kemi kryer urdhra, as nuk na ka komandua askush por vetëm i kemi pyet popullatën se çka kanë nevojë, vet i kemi bartë me çanta i kemi qu nëpër ato zona ku ka pas nevojë”, tha ai.

Barnatorja ku ai kishte përmendur se furnizoheshin me barna, dëshmitari tha se kishte marrëveshje me fondin “Vendlindja thërret”, mirëpo ai shtoi se nuk ishte në njohuri nëse e njëjta drejtohej nga UÇK.

Dëshmitari mohoi që dy anëtarët e tjerë të cilët kishin shpërndarë këto ndihma për qytetarët së bashku me të, Hafiz Zeneli dhe i ndjeri M.M të kishin qenë pjesëtarë të UÇK-së.

I pyetur nga prokuroria nëse e njihte një njësit të UÇK-së të quajtur BIA, dëshmitari u përgjigj se jo.

Lidhur me këtë prokuroria ka prezantuar deklaratën e dëshmitarit të dhënë për mbrojtjen më 25 maj 2021, në të cilën ai kishte deklaruar se “Njerëzit nga të gjitha zonat në Kryqin e Kuq p.sh vinin nga Gjilani dhe kur vinin ata thonin BIA, kështu që i pyeta ata të më thonin ata se çfarë ishin BIA, dhe ata më thonin që ata ishin ushtarë të Kosovës”.

Ndër këta persona që kishin qenë në zyrat e Kryqit të Kuq për të marr ndihmë ai tha se ka qenë edhe i akuzuari Mustafa.

“Unë ato i kom dëgjua tek zyrat qe thoshin erdhët pjesëtarët këta te BIA edhe me marrë sende, ndër ta ka qenë Salihi atëherë e quajshin Cali, Cali, unë emrin s’ja kom ditë, i merrke senet, gjanat ushqimore, medikamentet, qumësht për fëmijë dhe vazhdojshin rrugës, aj ka qenë dy apo tri herë. Aty e kom dëgjua fjalën BIA, BIA unë edhe sot nuk e di çka do me thënë BIA”, tha ai.

Por se ai tha se nuk ishte në njohuri nëse “Cali” ishte anëtarë i BIA-së dhe se nuk i njihte anëtarët e saj.

Lidhur me regjistrimin e tij në listën e veteranëve të UÇK-së, dëshmitari ka thënë se ishte regjistruar nga pjesa e Drenicës për kontributin që kishte dhënë në këtë vend.

“Emri i personit apo i personave që më regjistruan si veteranë të UÇK, njëri ndër ta është Nehat, mbiemrin se di, e quajshin mjekra. Aj e ka marrë unë e kam mush aplikacionin, për arsye që kam kontribua gjatë luftës në atë zonë”, tha ai.

Prokurori ka pyetur dëshmitarin nëse i njëjti kishte qenë anëtarë i brigadës 151 pasi që sipas tij, ashtu paraqitej në listën e veteranëve të UÇK-së e që dëshmitari është përgjigjur se ai nuk kishte qenë anëtarë i UÇK-së por vetëm punëtor ndihmës që kishte dërguar ndihma në pika të ndryshme.

“Kam qenë vetëm punëtor i ndihmës që kam bajt senet dhe i kom qu në pika të ndryshme, por për hire të atyre, se s’jom vetëm unë, futen edhe tjerë në listë, të cilët e kanë dhënë kontributin e vet. Nuk është e thënë vetëm me marr armën dhe të dilsh për të luftuar por është e thanë që me bo edhe kontributin. Edhe këto masi e kanë bo Nehati edhe këta tjerët më kanë tregu që më kanë fut. Ata kanë deshtë me më respektua përhirë të punës, më kanë lajmërua aty tek kjo shoqata dhe më kanë bo veteran”, tha ai.

Lidhur me mbështetjen e tij për të akuzuarin Mustafa, dëshmitari Ademi ka thënë se ekziston mundësia që i njëjti ndonjëherë të ketë bërë “like” në ndonjë postim në internet për të.

“Unë personalisht me mbështet Salih Mustafën kom thonë nëse vijnë më pyesin kom me tregu realitetin që ka qenë gjatë periudhës luftës, në luftë dhe as luftës. Me te thënë të drejtën atë e kom parë 3-6 herë, as më herët nuk e kom njohtë”, tha ai.

Ndërsa i pyetur lidhur me dëshmitarin e parë të mbrojtës në këtë rast, Brahim Mehmetaj dëshmitari ka thënë se asnjëherë në jetën e tij nuk e kishte takuar atë.

Më pas prokuroria ka prezantuar dy fotografi të 18 nëntorit ku sipas të njëjtës, Mehmetaj kishte nxjerrë dy foto ditën kur Mustafa po fluturonte në Hagë për këtë çështje gjyqësore, e që lidhur me këtë dëshmitari tha se e kishte bërë “like” vetëm për “Calin” ndërsa siç tha ai “për këtë Bimin e kom pa në fotografi, kurrë në jetën time se kom njoftë”.

Gjithashtu prokuroria ka prezantuar një provë ku Mehmetaj kishte shfaqur mendimin e tij për Gjykatën Speciale se e njëjta ishte turp i drejtësisë, dhe ka pyetur dëshmitarin nëse i njëjti oshte i këtij mendimi pasi që kishte bërë ripostimin e këtij statusi.

“Për disa fjalë pajtona për disa nuk pajtona, gjykata është gjykatë, drejtësia drejtësi, duhet me ardh secili me shpreh punën e vet. A unë nuk e shoh që është një milion përqind i mirë ky postim”, tha ai.

Gjithashtu, prokurori ka pyetur dëshmitarin “Ju nuk e dinit që Brahim Mehmetaj ishte komandant, ndërsa në koment shkruan “respekt komandant”?, për të cilën dëshmitari u përgjigj “Unë gjithmonë kur shkruaj ju them respekt komandant, nuk është e thënë të jetë për Calin, Bimin, Mjekrrën apo dikënd tjetër”.

Dëshmitari ka mohuar të ketë pasur kontakt me të akuzuarin Mustafa që nga koha e arrestimit të këtij të fundit nga DhSK-j. Ndërsa për familjaret e të njëjtit ai ka thënë se nuk i kujtohet dhe nuk është i sigurt nëse ka pasur kontakt me të njëjtit gjatë kësaj kohe.

Në fund dëshmitari është pyetur edhe për një pushim në mes të dëshmisë së tij dhënë mbrojtjes më 25 maj 2021, për të cilën dëshmitari tregoi se kishte shkuar për një kontrollë tek mjeku të cilën e kishte të domosdoshme ta bënte.

Derisa shtoi se nga ai moment që kishte biseduar me mbrojtjen e deri në seancën e sotme nuk kishte biseduar me askënd për këtë dëshmi që kishte dhënë.