Dëshmitari i vrasjes së Ivanoviqit: Jam i kërcënuar nga Radoiçiq, njeriun që e amnistoi Vuçiqi

Në një prononcim ekskluziv për Nova.rs, Boban Bogdanoviq thotë se ka prezantuar disa detaje të reja lidhur me likuidimin e Oliver Ivanoviqit, si dhe informacione të reja në të cilat ka ardhur, e njëra prej tyre është se Ljubomir Lainoviq nuk është personi që ka qëlluar Oliver Ivanoviqin.

Boban Bogdanoviq ka kaluar tre orë dje në një bisedë me prokurorët e EULEX-it, ku ka prezantuar njohuritë e tij për vrasjen e politikanit kontrovers nga Kosova, Oliver Ivanoviq, i cili u vra në janar të vitit 2018. Boganoviq ka deklaruar se nuk mund të japë të gjitha detajet e bisedës, por ka thënë se sipas informacioneve të reja, personi që ka qëlluar Ivanoviqin nuk ishte Ljubomir Lainoviq.

“Sa i përket vetë autorit, muajt e fundit kam ardhur në njohuri të reja. Tani mund të them ekskluzivisht se Lainoviq nuk ishte ai që qëlloi Oliver Ivanoviqin. Dëshminë që kam marrë nga miku im Aleksandar Gligorijeviq, këtë ma ka përcjellë. Por Lainoviq, me sa di unë, në bazë të informacioneve që kam marrë në muajt e fundit, nuk ka kryer vrasje”, tha Bogdanoviq për Nova.rs.

Ai shprehu shpresën se deklarata e tij do të ndihmojë në zbardhjen e krimit që emocionoi publikun serb dhe atë kosovar.

“Në pesë muajt e fundit kam arritur në disa njohuri të reja dhe me këtë rast nuk mund t’ju them se për çfarë njohurie bëhet fjalë, e cila mendoj se do të jetë vendimtare në provat e vrasjes së Oliverit. Me ndihmën i EULEX-it, duhet të formohet një komision ndërkombëtar i përbërë nga prokurorë nga Serbia dhe Prokuroria e Kosovës për të marrë në pyetje Veljko Belivuk, për të cilin besoj se është një njeri që mund të japë përgjigje për shumë pyetje, madje të ndriçojë plotësisht vrasjen e Ivanoviqit. Ajo që më ndodhi është që në këtë ditë të ndihmoj edhe autoritetet serbe edhe ato të Prishtinës që të gjejnë një gjuhë të përbashkët që të zbardhet plotësisht vrasja e Oliver Ivanoviqit dhe besoj se kjo është një nga gjërat e rëndësishme për të arritur një bashkëjetesë dhe bashkëpunim të përbashkët mes popullit serb dhe shqiptar në Kosovë”, tha Bogdanoviq.

Ai gjithashtu ka shtuar se siguria e tij është kërcënuar nga Milan Radoiçiq, të cilin e ka akuzuar si të përfshirë në vrasjen e Ivanoviqit.

“Logjistika e plotë, përgatitja e vrasjes ka shkuar nga zoti Radoiçiq dhe kjo dihet. Ai është amnistuar nga Aleksandar Vuçiq”, tha Bodanoviq. /Ballkani.info/