Dëshmitarët rrëfejnë për krimet që ndodhën në lagjen Kristal të Pejës më 26 mars 1999

Masakrat e Serbisë të kryera në Kosovë kanë ende dëshmitarë të gjallë të cilët rrëfejnë kujtimet e trishta të asaj kohe. Njëra ndër to është edhe ajo e 26 marsit të vitit 1999 ku në lagjen Kristal të Pejës u vranë 33 civilë shqiptarë.

Sikurse edhe për shumë masakra tjera, as për këtë nuk është vënë drejtësi. Por së fundmi një serb është arrestuar si i dyshuar për pjesëmarrje në krime lufte.

23 vjet më parë u vranë mizorisht Eshref dhe Valdet Krasniqi, babë e djalë.

“Ishte mbrëmja e 26 marsit ’99 ndërsa po luanim brenda shtëpisë bashkë me motrën vëllain dhe fqinjin tonë Labinotin kur papritmas oborri i shtëpisë u mbush plot me policë e paramilitarë serbë të cilët me breshëri plumbash thyen edhe dyert e shtëpisë dhe u futen brenda”.

Kështu rrëfen Jakup Krasniqi që humbi të atin Eshrefin dhe vëllain Valdetin.

“Pasi na e vranë babën dhe vëllain, ata vazhduan duke hyrë shtëpi më shtëpi e duke vrarë edhe civilë tjerë të paarmatosur”, thotë Jakupi .

Edhe Labinot Kaliqani dëshmitar i kësaj ngjarje të rëndë cili ishte duke luajtur me bashkëmoshatarët e tij brenda në shtëpi kujton ato pamje të tmerrshme kur para fëmijëve dhe familjarëve tjerë u ekzekutuan babë e djalë.

“Vëllain e Jakupit, Valdetin e kanë qëllu me një plumb në kokë dhe ka vdek fill, aty në vend. Prej aty e kom marrë unë Jakupin, vëllain e Valdetit dhe e kemi kap. Ky ka dashtë, Jakupi ka dashtë me dal jashtë, tha “du me m’vra edhe mu”, i thashë jo Jakup se kjo punë është e kryme. Edhe kemi ardh e kemi kapërcye këtë mur për dritare këtu edhe kemi ik edhe prej aty kemi shkua në Katund të Ri”, rrëfen Labinot Kaliqani

Më 26 mars të vitit 1999 vetëm në Lagjen Kristal të Pejës u vranë dhe u ekzekutuan barbarisht 33 civilë të pafajshëm shqiptarë. Për këtë ngjarje të rëndë në Budabest është arrestuar një serb i cili po dyshohet për përfshirje në këtë masakër.