Dëshmia se strukturat paralele të Serbisë kanë vendosur për futjen në karantinë të veriut

Serbia mbrëmë në mënyrë të hapur ndërhyri në sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës duke futur në karantinë komunat veriore të Kosovës pas asnjë vendim të Qeverisë së Kosovës.

Ky vendim i Beogradit zyrtar bëri që të ketë reagime të shumta mbrëmë dhe sot. Në anën tjetër, deri më tash asnjë reagim nuk e kemi nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

I vetmi që ka reaguar nga qeveria është ushtruesi i detyrës së Ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai ka thënë se karantinimi i Mitrovicës Veriore dhe Zveçanit është bërë në koordinim me kryetarët e këtyre do komunave dhe me vendim të Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, shkruan Ballkani.info.

Megjithatë, ajo që është parë sot në një konferencë për media të të ashtuquajturit Shtab të Krizës në Mitrovicën e Veriut flet më së miri se kush po e menaxhon karantinën atje.

Milosh Mirkoviq, drejtor i Institutit për Shëndetësi Publike në Mitrovicë të Veriut, i cili foli para gazetarëve dhe tregoi se sot janë konfimuar edhe pesë raste të reja me koronavirus në atë pjesë, shihet se prap tij është i vendosur flamuri i Serbisë.

Dhe jo vetëm kaq, pas shpinës së Mirkoviqit qëndron edhe mbishkrimi i organit paralel të Serbisë në Kosovë. “Organ i përkohshëm i Komunës së Mitrovicës së Kosovës”. Ky është mbishkrimi dhe emërtimi që Serbia ende i referohet Mitrovicës, pra duke e konsideruar si pjesë të saj, shkruan Ballkani.info.

Kjo është më shumë se skandaloze, kur dihet se organet shtetërore të Kosovës edhe më tej nuk kanë bërë asgjë që atje të vendoset ligjshmëria dhe rendit kushtetues i Kosovës.

“Numri i rasteve të reja të konfirmuara në komunat me shumicë serbe në Kosovë është si në vijim – në Mitrovicë të Veriut janë shënuar tri raste positive në COVID-19, kështu që numri i përgjithshëm i të infektuarve në këtë qytet është 14. Në Zveçan ndërkaq janë konfirmuar dy raste të reja, duke e çuar në 6 numrin e përgjithshëm. Ndërkohë, në Leposaviq, numri i të infektuarve qëndron në dy, prej të cilëve një person ka vdekur”, ka thënë Milosh Mirkoviq, drejtor i Institutit për Shëndetësi Publike në Mitrovicë të Veriut.

Ai po ashtu ka shtuar se numri i të përgjithshëm i të infektuarve në vendbanimet serbe në Kosovë ka arritur në 22.

Të kujtojmë se edhe të dhënat e të prekurve në veri të Kosovës me COVID-19 janë të regjistruar si të prekur në Serbi.

Deri sot në Kosovë janë prekur 135 persona me koronavirus, një ka vdekur, kurse 16 janë shëruar. Së pari virusi është lajmëruar në Klinë e Viti. Pastaj Malishevë, Podujevë, Gjakovë, Prishtinë, Lipjan. Në gjithë botën janë prekur më shumë se një milion njerëz prej kësaj sëmundjeje ngjitëse, prej të cilëve 226 mijë janë shëruar ndërsa 59 mijë kanë vdekur. Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 milionë euro për t’i bërë ballë virusit që është përhapur në shumicën e vendeve të botës. E ka shpallur edhe “Gjendjen e emergjencës së shëndetit Publik”, ku shtetit i lejohet të përdor secilin resurs publik e privat për ta mposhtur virusin.

Koronavirusi ka prekur shumicën e vendeve të Europës përfshirë edhe vendet e rajonit, si Shqipëria, Maqedonia, Serbia e Mali i Zi. Koronavirusi nisi në Ëuhan të Kinës ku fillimisht virusi ishte përcjell nga shtazës e më vonë kaloi edhe te njeriu. Ende s’është gjetur vaksina me të cilën do të parandalohej shpërndarja e virusit.

Për t’u mbrojtur nga ky virus kërkohet të mos kini kontakte me njerëz, të mos qëndroni në ambiente të mbyllura dhe t’i kushtoni kujdes higjienës, duke përfshirë larjen e shpeshtë të duarve. Deri më tash, shumica e të prekurve me koronavirus janë shëruar. Kanë pasur probleme vetëm të moshuarit dhe ata që kanë pasur edhe më herët probleme shëndetësore. /Ballkani.info/