Dëshmi tronditëse: Gjyqtari i EULEX-it i kishte quajtur kafshë të akuzuarit në rastin “Drenica2”

Gazetari i RTK-së, Hysni Demaku i cili e ka publikuar letrën e Malkolm Simonsit, ka thënë se vetëm pasi letra ka dalë në RTK është aktivizuar Komisioni për Legjislacion dhe kryetari i Komisionit, Shkëmb Manaj.

Demaku ka thënë se ai ka qenë në kontakt me Simonsin, ish kryetar i Asamblesë së Gjytarëve të EULEX-it, dhe se letra i ka shkuar atij si kërkesë që të përgjigjet dhe të flas për të gjitha shkeljet që ai pretendon që kanë ndodhur në EULEX.

Sipas Demakut, Simons pretendon për shumë shkelje në proceset gjyqësore që kanë ndodhur në Kosovë, përfshirë edhe gjykimet ndaj disa drejtuesve të UÇK-së.

“Malkolm Simons pretendon se një gjyqtar i EULEX-it i ka quajtur kafshë të gjykuarit në procesin gjyqësor ‘Drenica2’”, ka thënë Demaku.

Gazetari tutje ka thënë se dëshmia e Malkolmit që pritet të bëhet para Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës, përfshinë matrial mbi 200 faqe dhe video-incizime.

“Menjëherë pas vendimit të komisionit unë kam kontaktuar me Simonsin dhe ai e falemnderon komisionin për këtë vendin dhe thotë se është vullnet i popullit për ta dëgjuar. Po ashtu ai pret se do të ketë vështirë, sepse mund të ketë ndërhyrje nga Bashkimi Evropian, që hetimin e tillë ta parandalojë”, ka thënë Demaku.