Dëshmi për Gjykatën e Hagës: Lvova-Belova ia konfirmon Putinit se adoptoi një adoleshent nga Donbasi

Pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një urdhër-arrest për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin dhe komisioneren për të drejtat e fëmijëve, Maria Alekseevna Lvova-Belova, u shfaq një video-regjistrim i një bisede mes tyre që ishte zhvilluar kohë më parë.

Lidei rus dhe komisionerja akuzohen për dëbimin e paligjshëm të popullsisë (fëmijëve) dhe transferimin e jashtëligjshëm të popullsisë (fëmijëve) nga territoret e pushtuara të Ukrainës në Federatën Ruse ose zonat që i kontrollon Rusia.

Në një video prej 17 sekondash që u regjistrua gjatë agresionit rus kundër Ukrainës dhe që u publikua në televizion, Putin dhe Lvova-Belova diskutojnë për adoptimin e saj të një fëmije nga Mariupol.

Putin e pyet Marian nëse ajo adoptoi një fëmijë nga Mariupoli, i cili ishte nën sulme të tmerrshme ruse, dhe ajo përgjigjet pozitivisht.

“I vogël?”, pyet Putini, për të cilën ajo merr përgjigjen, “Jo, 15 vjeçar. Tani e di si është të jesh nënë e një fëmije nga Donbasi… Është e vështirë, por mendoj se mund të përballojmë gjithçka”, deklaroi ajo.

Që nga fillimi i luftës, Kievi ka akuzuar Moskën për dëbimin e fëmijëve nga territori ukrainas.

Zhvendosja me forcë e civilëve gjatë konfliktit është e ndaluar nga Konventa e Gjenevës dhe është klasifikuar si krim lufte. Kremlini ka hedhur poshtë akuzat duke thënë se nuk kanë vlerë për ta.