Franca mori një goditje të rëndë, duke u mundur me rezultatin 2-0 në fushën e Turqisë, në eliminatoren e radhës të “Euro 2020”.
Kampionët e botës janë shfaqur të thyeshëm dhe me pak dëshirë në këtë ndeshje, duke lejuar turqit të kapin kreun e grupit H për momentin.
Trajneri Didier Deschamps, duke folur për “L’Equipe”, është ndalur edhe te situata me Kylian Mbappe, vlerat e të cilit nuk po shfrytëzohen sa duhet te Franca.
“Unë mendoj se është më së shumti e diktuar prej tij, se ku dëshiron të luajë. Kur ke në ekip një lojtar si ai, trajneri duhet ta vendosë në kushtet më të mira të mundshme taktike. Ne nuk kemi disa lojtarë si ai. Futbolli ka evoluar dhe sot, në skemën 4-3-3, kemi lojtarë që luajnë si “krahë të rremë”, për të bërë direkt ndryshimin në lojë.
Kur luan vetëm në majë të sulmit, tani është pak më e komplikuar, sepse topi nuk arrin gjithmonë aty. Cilësitë e Kylian është mëkat të mos i shfrytëzosh. Ai ka nevojë të furnizohet rregullisht me pasime, duhet të jetë në kontakt të përhershëm me topin. Kylian ka potencial të jashtëzakonshëm. Ai tashmë e ka provuar se është në gjendje të jetë mjaft efektiv për Francën, edhe pse nuk ka shumë përvojë”.







