Derisa Serbia po ‘vlon’ nga protestat anti-Vuçiq, mediat atje ëndërrojnë për ushtrinë që i mposht të gjithë!

Disa mijëra qytetarë serbë, ditëve të fundit, kanë marrë pjesë në protesta, bllokada të rrugëve e marshe protestuese në Beograd dhe në perëndim të Serbisë, përkatësisht në qytetet Shabac e Lloznica.

E përbashkëta e të gjitha protestave është kërkesa që autoritetet t’i ndalojnë projektet, që konsiderohen ekologjikisht të dëmshme, por organizatorët e tyre dallojnë.

Njëra prej kërkesave kryesore që u dëgjua në disa protesta, ishte tërheqja e ndryshimeve për dy ligje, të cilat Kuvendi i Serbisë i miratoi javën e kaluar: Ligjin për Referendum dhe atë për Shpronësim.

Mirëpo, mediat e afërta me regjimin e Aleksandar Vuçiqit, fare pak i kanë dhënë hapësirë këtyre protestave.
Në shumicën e rasteve, këto media bëjnë thirrje për debllokim të rrugëve, duke u thirrur në disa OJQ të cilat sipas tyre janë zëri i qytetarëve kundër këtyre protestave.

Një qytetare serbe, Ana Jovanovaniq, ka reaguar në llogarinë e saj në Tëitter, duke postuar edhe ballinën e gazetës nacionaliste “Informer”.

Jovanoviq “çuditet” se si mediat në Serbi nuk merren me protestat kundër regjimit, por raportojnë se si ushtria e Serbisë duhet të jetë me fuqishmja në Ballkan.

“Ushtria e Serbisë duhet të jetë më e fuqishmja. Në dokumentin e fshehtë strategjik, thuhet: E vetmja garanci e drejt e paqes është që ushtria jonë të jetë më e fuqishme sesa forcat e armatosura të Kroacisë, Bosnjës, Shqipërisë dhe Kosovës së bashku”, shkruan Gazeta “Informer”.