Malishevë

Dërgohet në mbajtje i dyshuari për vrasjen në Malishevë: Ky dyshohet të jetë motivi

Një vrasje ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Banjë të Malishevës, ku një person është gjetur i vdekur, kurse i dyshuari është dorëzuar në polici.

Lidhur me rastin është deklaruar Prokuroria Themelore në Gjakovë, ku bashkëpunëtori profesional, Hekuran Batusha ka thënë se i dyshuari është ndaluar për 40 orë.

“Brenda afatit ligjor do të bëhet edhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit”, tha Batusha.

Siç raporton sot televizioni Klan Kosova, dyshohet se motivi që ka çuar deri tek vrasja, është një çështje në lidhje me punën që e kanë bërë viktima dhe dorasi.

Zëdhënësi i policisë, Sheremet Elezaj, ka thënë se informatat për vrasjen i kanë marrë rreth orës 7:15.

Elezaj ka treguar se vrasja ka ndodhur në fshatin Banjë të Malishevës.

Ai ka thënë se vdekja e viktimës është konfirmuar nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, kurse i dyshuari është dorëzuar në Stacionin Policor në Malishevë.