LAJMI I FUNDIT

Dërgohen në paraburgim të dyshuarit për vrasjen mizore të 18 vjeçarit në Podujevë

18 vjeçari Lulzim Fejzullahu nga Podujeva gjashtë ditë më parë u godit me veturë nga persona të dyshuar të cilët më pas e rrahën për vdekje me shufra metalike.

Fejzullahu u dërgua për trajtim në Spital, pasi mori lëndime jashtëzakonisht të rënda nga dy persona të dyshuar dhe sot ndërroi jetë në QKUK.

Lidhur me këtë ka reaguar Prokuroria Themelore e Prishtinës, e cila pohon se është aprovuar kërkesa për masë të paraburgimit ndaj të dyshuarve.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar opinionin publik lidhur me rastin e datës 15 janar 2024, në Podujevë, ku pas një përleshje fizike, dy të dyshuar (të mitur) e kanë goditur me një shkop viktimën, tashmë të ndjerin, 18 vjeç, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërsa po në të njëjtën ditë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy të miturit janë ndaluar për shkak të veprës penale “Vrasje në tentativë”, tashmë vrasje, dhe rasti ka filluar të trajtohet në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Brenda afatit ligjor, pranë gjykatës kompetente, prokurori ka kërkuar masën e paraburgimit për të dyshuarit, e cila është aprovuar dhe të dyshuarit aktualisht ndodhen nën masën e paraburgimit.

Gjatë ditës së sotme, prokurori i rastit është njoftuar se viktima ka ndërruar jetë dhe me urdhër të njëjtit trupi i pajetë është dërguar në IML, për obduksion” thuhet në njoftim.

LEXONI EDHE: