Arbërie Nagavci

Deputetja Nagavci thotë se skandalet në Ministrinë e Arsimit janë të shumta

Deputetja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka akuzuar ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi për shkelje dhe mosrespektim të ligjit dhe keqpërdorim të buxhetit.

“Përderisa s’ka as më të voglin angazhim profesional në përmirësim të cilësisë, llogaridhënie dhe hartimit të politikave të mirëfillta arsimore”, ka thënë Nagavci, përcjell Klan Kosova.

“Edhe sot, në gazetat ditore po shkruhet për shkeljet e radhës së ministrit Bytyqi, e jam e sigurt se ditëve në vijim do të bëhen publike skandalet tjera të këtij ministri, sepse skandalet janë të shumta, keqpërdorimi i buxhetit gjithashtu, derisa asnjë rezultate pozitiv nuk shihet”.

Sipas Nagavcit “është shqetësues jo vetëm keqpërdorimi i buxhetit, por edhe mbi të gjitha paaftësia e ministrit dhe dështimi i tij në implementimin e politikave arsimore që mund të ndikonin në rritjen e cilësisë në arsim”.

“Krejt çfarë ky ministër ka në fokus është klientelizmi partiak, emërimi i anëtarëve të partisë së tij, të cilët pothuajse gjithnjë janë të pakualifikuar e të papërvojë, në pozita të rëndësishme, në këshilla drejtuese e komisione, duke pamundësuar kështu mundësitë edhe ashtu të vogla për përmirësimin e cilësisë në institucionet tona edukativo-arsimore. Derisa shumë mësimdhënës e profesorë të përgatitur e të ndershëm që kryejnë punën e tyre me ndërgjegje e përkushtim, përballen me sfida të jashtëzakonshme e shumë kuadro tjera me përgatitje të lartë, nuk kanë mundësi punësimi e angazhimi, joprofesionistët dhe jokompetentët zënë pozitat kyçe në postet udhëheqëse. Për fatin tonë të keq nuk kishim asnjëherë gjatë gjithë këtyre viteve një ministër që do të kishte dijen, vullnetin dhe guximin për të bërë hapa përpara në drejtim të përmirësimit të cilësisë”.

Nagavci ka shtuar se secilën herë, në të gjitha qeverisjet që nga paslufta, ministrat e arsimit janë më të papërgatitur në aspekt profesional e më agresiv në keqpërdorime.

“Jam e bindur që kjo s’është as e rastësishme e as e paqëllimshme, pasi me politika të mirëfillta arsimore nuk do të kishim një degradim të këtillë të arsimit e as mundësi që të qeverisemi nga një klasë e tillë e qeveritarëve”.