Miriam Nogueras

Deputetja katalunase thotë se s’do të dorëzohen: Njohja e Kosovës nga Spanja është prioritet për ne

Shefja e deputetëve katalunas në Kuvendin e Spanjës, Miriam Nogueras, ka folur pasi nisma e tyre jo-ligjore përmes të cilës kërkonin njohjen e Kosovës si shtet nga Qeveria e Spanjës, nuk ka marrë votat e mjaftueshme në Parlamentin spanjoll.

Nogueras ka thënë se siç edhe është pritur, shumica e partive spanjolle s’kanë ndryshuar qëndrimin refuzues për njohjen e Kosovës.

Megjithatë politikania katalunase thotë se “Junts per Catalunya” s’do të ndalen së negociuari me të gjitha partitë për të marrë njohjen e Kosovës nga Qeveria e Spanjës.

“Siç e prisnim, partitë kryesore spanjolle kanë vazhduar refuzimin e tyre për të njohur Kosovën. Ne do të vazhdojmë negociatat me të dyja palët për të marrë njohjen e Kosovës nga qeveria spanjolle”, ka thënë Nogueras për Express.

Në fund, deputetja katalunase ka thënë se çështja e njohjes së Kosovës është prioritet për “Junts”

“Është një prioritet për ne”, ka thënë Miriam Nogueras.

Procesi i votimit që ka ndodhur sot në Parlamentin spanjoll ka ardhur pas debatit të së martës që është zhvilluar pikërisht për kërkesën e partisë katalunase që Spanja ta njohë Kosovës.

Deputetët katalunas në fjalimet e tyre kanë argumentuar se pse Spanja duhet ta njohë Kosovën si shtet dhe kanë thënë se Madridi zyrtar s’duhet të jetë në listën e kryeqyteteve që refuzojnë ta njohin e pavarësisë së Kosovës.

Ndërsa nga partia socialiste e kryeministrit Pedro Sanchez të martën në debat kanë bërë të ditur se pozicioni mosnjohjes i Spanjës është i ditur dhe i pandryshuar.

Kjo kërkesë e partisë katalunase ka ardhur menjëherë pasi Spanja ka vendosur që të njohë pavarësinë e Palestinës