Pak ditë pasi Kosova i kërkoi ndihmë Hungarisë për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, ministri i Jashtëm i këtij shteti, Peter Szijjarto citohet të ketë thënë se nuk do ta mbështesin një gjë të tillë.
Sipas “Kosovo-Online”, ai ka deklaruar se “aplikimi i Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, nuk po i kontribuon dialogut”.
“Ne jemi të vendosur për suksesin e dialogut, por ne besojmë se fakti që Kosova po aplikon për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare nuk i kontribuon atij dialogu. Hungaria nuk do ta mbështetë pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.” – ka thënë ai.
Ndërkohë, para pak ditësh, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, si kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, tha se kanë kërkuar ndihmë nga Hungaria për anëtarësimin në KiE.
“Kemi diskutuar për raportet që Kosova ka me Hungarinë, por me theks të veçantë për atë që Hungaria tashmë e ka kryesimin e presidencës së BE-së, dhe sigurisht se brenda kësaj periudhe kohore sa ata e mbajnë kryesimin e presidencës synimi është që ne si Kosovë t’i shtymë përpara çështjet që konsiderojmë se janë me interes të shtyhen përgjatë kësaj periudhe kohore. Sigurisht kemi diskutuar edhe për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës dhe qëndrimet që deputetët që janë anëtar të Këshillit të Evropës nga Hungaria kanë mbajtur në këtë proces dhe ideja është të gjendet një gjuhë e përbashkët me ta dhe t’i bëjmë ata të kuptojnë sa e rëndësishme është të votohet pro anëtarësimit të Kosovës, sepse këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një çështje që ka të bëjë specifikisht me Kosovën, por është shumë e rëndësishme që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës edhe për faktin se kjo ndikon shumë edhe në rritjen e stabilitetit në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më pas edhe në vet BE-në.” – ishte shprehur ajo.







