Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu Shoshi, ka reaguar pas konfirmimit të nëntë rasteve pozitive me koronavirus në Kosovë.
Musliu-Shoshi, ka kritikuar Qeverinë e re, për të cilën thotë se papërgjegjësia dhe neglizhenca e saj dhe institucioneve qeveritare, ka sjellë rritjen e numrit të të infektuarve nga ky virus vdekjeprurës.
Madje, ajo tutje ka kërkuar nga Presidenti i vendit që sa më parë të shpallet gjendje e jashtëzakonshme, pasi që sipas saj, gjendja çdo ditë e më shumë është duke u bërë më kritike.
” Konfirmimi i katër rasteve të reja me coronavirus e ka rritë në nëntë numrin e përgjithshëm të infektuarve, ndërsa ende nuk shihet seriozitet i institucioneve qeveritare. Papërgjegjesia dhe neglizhenca e qeverisë sjelli rritjen e numrit të infektuarve me coronavirus #Covid19.
Presidenti i Republikës së Kosovës, sa më parë ta shpallë Gjendjen e Jashtëzakonshme në konsultim edhe me institucionet e tjera, sepse për ditët dhe javën që po vjen, gjendja është duke u bërë kritike.
Të infektuarit vec po rriten, ndërsa shërbimet janë duke u zvogëluar”, ka shkruar Musliu në Facebook.







