Deputetja e PDK-së kërkon dorëheqjen e Gërvallës pas skandalit me vajzën e saj: Po i qepon diplomacisë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, e cila është edhe anëtare e Komisionit për Politikë të Jashtme, ka reaguar pas publikimit të skandalit të ministres Donika Gërvalla-Schwarz, e cila i mundësoi vajzës së saj Norës (16 vjeçare), që ta marrë certifikatën e praktikës në ministrinë që vetë e drejton. 

Deputetja Musliu-Shoshi ka kërkuar dorëheqjen e ministres Gërvalla pas skandaleve të njëpasnjëshme të saj, transmeton Demokracia.com.

Ajo ka shkruar se Donika Gërvalla e ka keqpërdorur pozitën si ministre e MPJD-së, asistenten e saj dhe vulën shtetërore për t’ia lëshuar vajzës një certifikatë të praktikës për nevoja të shkollimit në Gjermani.

“Reagimin për këto abuzime institucionale e kishte sikur të ndonjë tekanjozeje dhe jo të një zëvendëskryeministreje apo ministreje të përgjegjshme. Nëse një skandal i tillë do të ndodhte në Gjermani, aty ku ajo është rritur, mbrëmja nuk do e zinte më si ministre. Ndërsa, në Kosovë, ministrja Gërvalla edhe po tallet me përgjegjësinë publike dhe llogaridhënien para qytetarëve”, ka shkruar Musliu-Shoshi.

Deputetja e PDK-së ka theksuar se Gërvalla-Schwarz me veprimet e saj po e shkatërron diplomacinë e Kosovës.

“Çdo ditë po iu qepon diplomatëve, duke e rrënuar politikën e jashtme të ndërtuar me shumë sakrificë plot 14 vjet shtet. Ndërsa, publikimet e skandaleve të saj, po i kategorizon si “qepime” mediale”, ka shkruar ajo.

Si një deputete e opozitës, Musliu-Shoshi ka thënë se do të duhej të isha e lumtur që një ministre si Donika Gërvalla është në krye të MPJD-së, pasi që është burim i pashtershëm i skandaleve. Por, ajo ka thënë se nuk është, sepse e ndjen thellësisht përgjegjësinë institucionale dhe ia do të mirën shtetit.

“Ministrja Gërvalla duhet të lëshojë rrugë dhe ta lirojë vetë pozitën që po e mban, pasi që nuk është për këtë punë!”, ka shtuar Musliu-Shoshi. /Demokracia.com/