Deputetja e PDK-së e shqetësuar se një nxënëse me mbulesë nuk u lejua të aplikojë në Gjimnaz, e quan provokim

Avokati i njohur, Arianit Koci, ka deklaruar dje se këto ditë është kontaktuar nga disa vajza të cilat mbajnë shami, e të cilat thotë se i janë ankuar se shkollat po refuzojnë të i regjistrojnë, nën arsyetimin se kinse, nuk lejohet mësimnxënia në shkollë me shami në kokë.

Një shqetësim të tillë sot e ka ngritur edhe deputetja e PDK-së , Besa Ismaili e cila thotë se sot nga mëngjesi është marrë me këtë çështje, ndërsa e quan të papranueshme dhe provokim një gjë të tillë.

Postimi i saj:

Tejet e shqetësuar me provokimin për mos pranimin për regjistrim të nxënëses e cila bartë shami!

Kjo është e papranueshme!

Ka një dallim substancial ndërmjet institucionalizmit fetar dhe lirisë individuale fetare.

Thirrja kundër institucionalizmit fetar, për të ruajtur parimin sekular të shtetit po shtrembërohet me qëllim për të mohuar lirinë individuale fetare.

Respektimi i të drejtave dhe lirive nuk guxon assesi të jetë selektiv gjatë ushtrimit të ligjit. Aq më hiq kur kemi të bëjmë me vajza. Mohimi kategorik i tyre me veprime përjashtuese, përmban ngjyrim fashizmi.

Si anëtare e komisionit parlamentar për të drejtat e njeriut, që nga mëngjesi i sotmë, jam duke u angazhuar maksimalisht, (ashtu siç kam bërë prore për më shumë se dy dekada tanimë, edhe në rastet e mëhershme) për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e mia, për të asgjësuar tendenca për veprime dhe vendime të tilla, të kundërligjshme dhe diskriminuese.

Ksenofobia nuk i duhet shoqërisë kosovare!