Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, thotë se të gjithë po urojmë që qeveria e re të formohet sa më parë nga njeriu që doli i pari në zgjedhje, Albin Kurti i cili që nga 6 tetori i këtij viti sillet e flet si mbret, me gjuhën e një egoisti të papërmbajtshëm e të paparë deri më sot. Veçmas ndaj atyre që mëton t’i ketë partner qeverisës(LDK).

“Video- xhirimet dhe publikimi i tyre si formë e ultimatumeve jo vetëm që janë fëminore por për më shumë janë joserioze dhe jokorrekte ndaj qytetarëve në radhë të parë e sidomos ndaj LDK- së. Pyetja është, se deri në ç’masë do të pranojnë këta të fundit, nënçmimin dhe përbuzjen e një njeriu, absolutisht të papërgatitur për bashkëpunim e bashkëqeverisje, në kushte krejt të barabarta(28:28,hiq Alternativën 1)”, ka shkruar ajo.

Ajo thotë se Kurti nuk i beson askujt, as bashkëpunëtorëve shumëvjeçar e as vetës së tij.

“Ai kurrë nuk besoi as në Republikën e Kosovës. Tërbohet nga arritjet e të tjerëve. Shtetin e flamurin e nënçmoi maksimalisht kudo e në çdo kohë. Së kendejmi ai nuk beson në demokraci, prandaj duket se Kosova do të vuaj edhe më shumë, edhe për shumë kohë. Qytetarët do ta shohin këtë. Për këtë jam e sigurtë, ashtu siç jam shumë e sigurtë që Albin Kurti thellë brenda vetes së tij nuk e do këtë post në vitin 2020-të”, ka shkruar në fund Haxhiu. /Ballkani.info/