Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka kërkuar raport më të detajuar për riatdhesimin e kosovarëve gjatë pandemisë.

Kadrijaj ka thënë se kanë kërkuar raport të detajuar, por në vend të tij u është drejtuar një raport statistikor.

“Ju kemi dërguar me shkrim që ta kemi një raport të detajuar, por në fakt na është drejtuar me një raport statistikor që me i krahasuar me të dhënat që i kanë deputetët tjerë ose me të dhënat që i ka Ministria e Shëndetësisë nuk po përputhen dhe ne nuk kemi mundur që t’i adresojmë të gjitha ato që i kemi pasur”, ka deklaruar Kadrijaj pas mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ku u diskutua lidhur me riatdhesimin e qytetarëve tanë gjatë situatës së krijuar nga koronavirusi.

Më tej, ajo shtoi se drejtori i këtij komisioni e ka obligim që të dalë dhe të raportojë përpara deputetëve.

“U vendos që prapë një kërkesë të tillë t’i drejtohet drejtori të përgjithshëm në mënyrë që të vjen e të raportojë, pra e ka obligim ligjor që të vijë e të raportojë para deputetëve. Na kanë thënë që ministri të vjen të raportojë por ju siç i dini procedurat që ministri nuk mund të vijë të raportojë, kështu që ne kemi kërkuar që të vijë një drejtor. Për ne gjithë kjo situatë ka qenë shumë shqetësueses sepse numri i bashkatdhetarëve që po qëndrojnë pa kushte të mira dhe puna e deputetëve dhe komisionit është monitorimi i Qeverisë”, përfundoi Kadrijaj.