Deputeti Uran Ismaili ftohet si dëshmitar në rastin e vrasjes së rojës në “Bon Vivant”

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, pritet të dëgjohet si dëshmitar në gjykimin ndaj të akuzuarve për vrasjen e rojës së lokalit “Bon Vivant”, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi.

Ata akuzohen se më 13 tetor të vitit 2014, në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, kishin privuar nga jeta rojën e këtij lokali, të ndjerin Rrahman Uka, për çka Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur fajtorë në janar të vitit 2019.

Në seancën e mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Suzana Çerkini ka aprovuar propozimin e mbrojtjes, për dëgjimin e dy dëshmitarëve të tjerë për këtë rast, deputetit Uran Ismaili dhe dëshmitares Egzona Berisha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Naim Rudari ka deklaruar se në bazë të video-incizimeve nga mediat, të cilat janë publike, shihet se deputeti Uran Ismaili, menjëherë pas ngjarjes, kishte qenë në turmën e njerëzve pranë lokalit “Bon Vivant”.

“Nga Agjencioni Anti-Korrupsion rezulton se aksionarë të “Bon Vivant” janë Genc Gashi, Labinot Krasniqi dhe Uran Ismaili. Ne propozojmë që të dëgjohen si dëshmitarë, pasi që si pronarë, do të duhej ta dinin se çfarë ka ndodhur me rastin, video-incizimet dhe shumë rrethana të tjera”, ka shtuar avokati Rudari.

Gjithashtu, Rudari në arsyetimin për propozimin e dëshmitares Egzona Berisha ka thënë se e njëjta, në ditën kritike, kishte qenë e ulur me fytyrë nga brendësia e lokalit ku kishte ndodhur ngjarja, por që nuk ishte ftuar si dëshmitare asnjëherë.

“Një dëshmitare e quajtur Egzona Berisha, e cila, ditën kritike kishte qenë në terrasën e pasme të kafiterisë “Bon Vivant”, e ulur së bashku me dëshmitaren Dea Kukaj. Dhe në procedurë, që nga fillimi është marr në pyetje Dea Kukaj e cila ka deklaruar se ditën kritike ka qenë e kthyer me shpinë nga brendësia e lokalit, kjo i bie që shoqja e saj Egzona ka qenë e kthyer me fytyrë nga brendësia dhe e ka parë ngjarjen në tërësi, mirëpo e njëjta nuk është marr në pyetje kurrë”, ka deklaruar në propozimin e tij, avokati Rudari.

Këto propozime janë kundërshtuar nga prokurori Armend Hamiti dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Armend Krasniqi, me arsyetimin se këta dëshmitarë nuk janë relevantë për zbardhjen e rastit.

Prokurori Hamiti është shprehur se sa i përket Egzona Berishës, e njëjta është dëgjuar në polici dhe prokurorja e cila është marr më herët me rastin nuk e ka parë relevante për ta dëgjuar, prandaj nuk e ka propozuar si dëshmitare.

Avokati Rudari gjithashtu ka propozuar edhe dëgjimin e dy ekspertëve nga Instituti i Mjekësisë Forenzike, psikologen Arife Veselaj dhe psikiatrin Bujar Dobërtinca, për të marrë mendimet e tyre si ekspertë të lëmive të ndryshme.

Sipas Rudarit, mendimi i ekspertit Ajet Bunjaku i cili e ka elaboruar ekspertizën e datës 26 nëntor 2015, për gjendjen mendore të Masar Gërdovcit, nuk ka qenë i qartë.

Ky propozim u mbështet edhe nga mbrojtësi i të akuzuarit Sherif Krasniqi, avokati Haxhi Millaku, i cili tha se konsideron që mendimi i psikologes Veselaj do të shpjegonte gjendjen emocionale të të akuzuarit në fjalë, si dhe reagimin motorik të tij në momentet kritike të ngjarjes.

Mirëpo trupi gjykues e ka refuzuar këtë propozim, me arsyetimin se ekspertët Arife Veselaj dhe Bujar Dobërtinca gjithashtu kanë qenë përpilues të asaj ekspertize dhe mendimi përfundimtar është dhënë në pajtim me konkludimet e të gjithë ekspertëve.

Tutje, seanca e së mërkurës është ndërprerë që të vazhdojë më 25 shtator 2020, në ora 9:30, me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar.

Ndryshe, me aktgjykimin e Themelores, të datës më 22 janar 2019, Masar Gërdovci ishte dënuar me 21 vjet e 8 muaj burgim, pasi që ishte shpallur fajtor për vrasjen e lartpërmendur, kurse i akuzuari tjetër në këtë rast, Sherif Krasniqi, ishte dënuar me katër vjet e tre muaj, pasi ishte shpallur fajtor për pjesëmarrje në rrahje, pasi ndaj tij është bërë ricilësimi i veprës penale nga vrasje e rëndë në bashkëkryerje, në pjesëmarrje në rrahje.

Kurse, Krasniqi ishte liruar nga akuza për armëmbajtje pa leje, pasi thuhej se nuk është provuar se ai ka kryer një vepër të tillë penale.

Gërdovcit i ishte vazhduar edhe masa e paraburgimit, ndërsa të akuzuarit Sherif Krasniqi i ishte ndërprerë një masë e tillë.

Por, me aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë nuk ishin pajtuar palët në procedurë të cilat ushtruan ankesa në Gjykatën e Apelit.

Pas ankesave të ushtruara në Gjykatën e Apelit, nga Prokuroria pala e dëmtuar dhe dy të akuzuarit, Gjykata e Apeli kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në aktvendimin e Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se aktgjykimi i shkallës së parë, përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të cilat kushtëzojnë anulimin e aktgjykimit, ngase arsyet e dhëna në aktgjykim janë të paqarta dhe kundërthënëse në masë të konsiderueshme për faktet vendimtare ka kundërthënie të konsiderueshme ndërmjet asaj që paraqitet në arsyetimin e aktgjykimit lidhur me përmbajtjen e shkresave ose procesverbaleve për deklarimet e dhëna në procedurë.

Familja e të ndjerit përmes ankesës kishin kërkuar nga Apeli dënime maksimale për dy të akuzuarit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte kërkuar kthimin e rastit në rigjykim, me pretendimin se gjykata e shkallës së parë gabimisht ka bërë ricilësimin e veprës penale, duke kërkuar që ky rast të kthehet në rigjykim.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Sherif Krasninqi, avokati Haxhi Millaku kishte ushtruar ankesë mbi vendimin mbi dënim, me pretendimin se dënimi prej 4 vjet e 3 muaj ndaj të mbrojturit të tij, siç tha ai, e tejkalon maksimumin e dënimit të paraparë me Kodin Penal të Kosovës.

Sipas tij, gjykata e shkallës së parë i kishte shqiptuar dënim të mbrojturit të tij, aq kohë sa ai kishte qëndruar në paraburgim, e që sipas tij e tejkalon maksimumin e sanksionit penal të paraparë për veprën pjesëmarrje në rrahje.

Ndërsa, me pretendimin se i mbrojturi i tij nuk është kryerës i veprës penale, avokati Besnik Berisha kishte kërkuar kthimin e këtij rasti në rigjykim.

Kjo me arsyetimin se dispozitivi i aktgjykimit të atakuar është i mangët, i paqartë dhe i pakuptueshëm.

Sipas tij, gjykata nuk ka dhënë arsye për faktet vendimtare, e edhe në rastet kur i ka dhënë, sipas tij, ato janë shumë konfuze.

Ndërsa, lidhur me armën e përdorur në këtë rast, gjykata kishte marrë vendim që e njëjta të konfiskohet, ndonëse në seancën paraprake, gjykatësja Çerkini kishte deklaruar se, përmes raportit nga Drejtoria Rajonale e Policisë, ishte njoftuar se arma në fjalë është shkatërruar, pas konstatimit se ajo nuk ka pasur përputhshmëri me rastet e hapura në laboratorin e armëve të zjarrit.

Pas vendimit të Apelit të marr në tetor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë në mars të citit 2020 kishte nisur rigjykimin e të akuzuarve Masar Gërdovci e Sherif Krasniqi.

Në seancën e parë pas rigjykimit i akuzuari Gërdovci kishte paraqitur kërkesë për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Suzana Çerkini dhe anëtares Shpresa Hasaj–Hyseni, por një kërkesë e tillë ishte vlerësuar si e pabazuar nga kryetarja e Gjykatës Themelore.

Kjo ishte arsyetuar me faktin se pala e cila ka paraqitur kërkesën nuk e ka dëshmuar se me çfarë rrethana do të vihej në dyshim paanshmëria e gjykatëses.

E rigjykimi kishte vazhduar, ku më 7 korrik 2020, dy të akuzuarit ishin mbrojtur në heshtje.

Ndryshe, lidhur me këtë rast emisioni “Betimi për Drejtësi”, më 26 janar 2019, kishte transmetuar një hulumtim, në të cilin ishte trajtuar çështja e asgjësimit të armës me të cilën dyshohej se ishte kryer vepra penale ende pa u ngritur aktakuza. (Shih linkun)

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2015, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, akuzohen se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale, vrasje të rëndë, dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas prokurorisë, më 13 tetor 2014, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, kanë shkuar në lokalin “Bon Vivant”, i cili gjendet në rrugën “Rexhep Luci”, në Prishtinë.

Sipas aktakuzës, me të hyrë brenda në lokal, menaxheri i lokalit Ilir Misini, i pyet të pandehurit se a kishin rezervuar ku të njëjtit ishin përgjigjur “Ne asnjëherë nuk kemi bërë rezervim”, dhe kishin vazhduar të ulen në tarracë, në pjesën e pasme të lokalit.

Në aktakuzë thuhet se menaxheri i lokalit i kishte thënë tani të ndjerit Rrahman Uka, të merret me të pandehurit që t’i largoi nga lokali, i cili ishte ofruar tek tavolina ku ishin ulur ata, me qëllim për t’i larguar nga lokali pasi të njëjtit nuk kishin rezervim.

Sipas aktakuzës, sapo Uka largohet dhe hynë në sallën e lokalit, të pandehurit ngritën nga tavolina dhe shkojnë në drejtim të tij, ku fillojnë ta sulmojnë me grushte.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me qëllim që ta privojnë nga jeta fillimisht Masar Gerdovci, e kishte nxjerrë revolen nga çanta e tij dhe kishte shtënë në drejtim të punëtorit të sigurimit Rrahman Uka, i cili ishte përulur në atë moment për t’i shmangur goditjeve. Sipas aktakuzës, Uka me tu ngritur në këmbë niset në drejtim të tashmë të pandehurve që në moment ishte duke shkuar në drejtim të daljes nga lokali, papritmas i pandehuri Sherif Krasniqi, me dashje që ta provoi nga jeta merr revolen nga Masar Gërdovci dhe shkrep dy herë në drejtim të tani të ndjerit me, ç’rast e plagos në regjionin e gjoksit dhe si pasojë e gjakderdhjes masive nga plagët e marra ndërron jetë në QKUK.