Deputeti Shala i quan skandaloze deklaratat e Kurtit për ambasadorin Grenell

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala, i ka vlerësuar si deklarime skandaloze qëndrimet e kryeministrit në detyrë dhe zyrtarëve të VV-së në raport me ambasadorin Grenell.

Ai ka thënë se kështu po dëmtohen raportet e ndërtuara mes SHBA-ve dhe Kosovës.

Në një lidhje direkte për televizionin publik, Shala ka folur edhe për krijimin e qeverisë së re.

Ai ka thënë se po presin veprimet e presidentit konform Kushtetutës për çështjen e mandatarit.

“Ende ne si Nismë nuk kemi filluar diskutimet me LDK-në për një qeveri të re e cila është më së e nevojshme për vendin. Një qeveri e re kompetente me besimin e plotë të Kuvendit për të përballuar gjendjen e shkaktuar pas pandemisë. Por, edhe me çështjen e dialogut, liberalizimin e vizave dhe tema tjera të rëndësishme për vendin”.

I pyetur nëse Nisma e pranon kreun e LDK-së për kryeministër, ai ka thënë se Isa Mustafa është kryetar i partisë së dytë më të madhe në vend dhe se nuk kanë asnjë dyshim se ai mund t’i prij qeverisë së re.

Deputeti i Nismës ka thënë se partia e Fatmir Limajt, ende nuk ka nisur negociatat me LDK-në dhe se po sa të ketë diçka konkrete do të ulën si parti për të vendosur.

Krejt në fund ai ka thënë se Nisma do të jap kontributin e saj në arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë për njohje reciproke dhe se për këtë duhet unitet sa më i madh.