Deputeti serb: Vuçiq mori rolin e prokurorit, policit dhe gjyqtarit kur tha se Radojiçiq s’e ka vrarë Ivanoviqin

Ministri i Brendshëm serb Nebojsha Stefanoviq tha sot se për shkak të “trajtimit të dobët” të EULEX-it, rasti i vrasjes së kryetarit të Iniciativës SDP Oliver Ivanoviq ende nuk është zgjidhur.

“Nuk pres shumë nga institucionet e Prishtinës, por pres që EULEX të mos e trajtojë këtë rast me mosbindje, sepse për shkak të trajtimit të dobët të BE-së nuk kemi zgjidhje për këtë rast”, tha Stefanoviq në parlamentin serb ku deputetët ngritën pyetje për anëtarët e qeverisë.

Ai pyeti se ku është EULEX në hetimin e vrasjes së Ivanoviq, ku janë njerëzit nga BE dhe ku është policia speciale.

“Ata nuk na lejojnë të hyjmë në skenën e krimit, nuk na japin plumbat që janë gjetur në vendin e ngjarjes. Ata mund të kenë bërë një milion ekspertiza, kurse ne e kemi vështirë të kryejmë një hetim pasi nuk mund t’i verifikojmë dëshmitarët, xhirimet apo çfarëdo qoftë”, tha Stefanoviq, transmeton Ballkani.info.

Ai tha se vrasja e Ivanoviqit ishte një akt terrorist dhe një krim, dhe se Beogradi po bënte gjithçka që mundej të gjejë vrasësit.

Mirëpo deputeti Miroslav Aleksiq e ka vënë në siklet Stefanoviqin. Ai e ka pyetur se kush e ka vrarë Oliver Ivanoviqin, duke vlerësuar se presidenti Aleksandar Vuçiq me deklaratat e tij se Ivanoviqin nuk e ka vrarë Milan Radojiçiqi e ka marrë rolin e prokurorit, policit dhe gjyqtarit.

E ka pyetur edhe se kush e ka porositur transmetimin e video spotit, me të cilin, thotë ai, është vizatuar shenja në ballin e Oliver Ivanoviqit. /Ballkani.info/