Deputeti serb që shikoi porno në Kuvend dha dorëheqje, u largua edhe nënkryetarja e Kuvendit. Serbia drejt zgjedhjeve?

Deputetja e Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) dhe ish-nënkryetarja e Kuvendit Snezhana Paunoviq nuk do të jetë më nënkryetare e Kuvendit, mëson Nova.rs nga burime të SPS-së.

Gjithashtu, siç mëson N1, deputeti socialist Zvonko Steviq ka dhënë dorëheqje nga posti i tij pasi në rrjetet sociale është shfaqur një video ku shihet ai duke parë një film pornografik gjatë seancës për Kosovën.

Për kujtim, mediat e Beogradit raportuan dje se kryetari i Partisë Përparimtare Serbe, Aleksandar Vuçiq, në një mbledhje të kryesisë së partisë ka thënë se është i gatshëm të shkojë në zgjedhje si kandidat për kryeministër, por se “nuk do të dorëzohet ndaj shantazheve – as nga Perëndimi, as nga SPS, as të djathtët e rremë”.

“Agjentja perëndimore Rada Trajkoviq thotë se unë kërkoj dekriminalizimin e familjes sime, jo shpëtimin e popullit serb në Kosovë. Gënjejnë, si të gjithë ata në Kuvend që folën gjithë ato marrëzi. Më mbron mua ashtu si partnerët e mi të koalicionit. Pra, o njerëz, kini parasysh se familja ime është këtu, ata do të qëndrojnë në Serbi, ashtu si unë”, tha Vuçiq në fjalimin e tij, duke iu përgjigjur deklaratës së Rada Trajkoviqit.

Kryetari i Bordit Ekzekutiv të Partisë Progresive Serbe (SNS), Darko Glishiq, tha sot se nuk përjashton që zgjedhjet të mbahen shumë shpejt dhe i tha Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) se SNS-ja nuk është më një “dele që mund të qethin” dhe të sillen si deri më tash.

“Nëse më pyesni mua personalisht, është mirë që (zgjedhjet) të mbahen nesër, apo në fundjavë, por njerëzit më të mençur në parti, në krye me Vuçiqin, do të na qetësojnë pak më shumë emocionalisht, kështu që të gjithë do ta marrim një vendim së bashku që do të jetë më i miri për Serbinë”, tha Glishiq të hënën.

Siç ka raportuar “Veçernje novosti”, Vuçiq ka vlerësuar se SNS-ja ka qenë e vetme në mbrojtjen e interesave shtetërore në seancën e Kuvendit për Kosovën.

“Jam shumë i zhgënjyer me sjelljen e socialistëve, të cilët ishin diku në mes, duke dashur t’i kënaqin të gjithë”, transmeton Novosti fjalët e Vuçiqit.

Pas kësaj, për sot janë anuluar të gjitha takimet e paralajmëruara të ministrit të Jashtëm dhe kryetarit të Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiq.

Ministri i Arsimit dhe një zyrtar i Partisë Socialiste të Serbisë, Branko Ruzhiq, tha më herët se nuk sheh asnjë bazë në kritikat se SPS po flirtonte me opozitën, të cilat u bënë kundër partisë së tij nga lideri i SNS-së, Aleksandar Vuçiq dhe kryetari i Komitetit Ekzekutiv të SNS-së, Darko Glishiq, dhe vlerësuan se “SPS gjithmonë ka ndjekur një politikë shtetformuese”. /Ballkani.info/