Deputeti i VV-së: Sa herë flitet për korrupsion, sytë shkojnë ka qeveria Hoti

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi ka thënë se sa herë flitet për korrupsion, sytë shkojnë ka LDK’ja. Ai gjithashtu ka pyetur Kryeministrit Hoti nëse po hetohet dikush i udhëheqjes së LDK’së.

Abrashi ka thënë se qeveria Hoti i ka shpallur luftë kujtdo që e lufton korrupsionin, për çka shtoi se pa konsultuar askënd ka marrë vendim për shfuqizimin e task-forcës brenda Policisë së Kosovës.

“Sa herë flitet për korrupsionin, shikimi kthehet kah ndërtesa shumëkatëshe e qeverisë. Na duhet neve një ngjarje tjetër që e përmbys këtë rrethanë. Sa herë që flitet për luftën kundër korrupsionit, vështrimi të kthehet tek një qeveri e ndershme, me vullnet dhe e vendosur. Kosova një përvojë negative e ka që 20 vjet, kurse përvojën pozitive e kishte gjatë 100 ditëve të qeverisë Kurti. Është e zakonshme që në Kosovë politikanët të kenë gojën plot luftë kundër korrupsionit. E vërteta e tyre është lufta kundër korrupsionit, anti-korrupsionit. Ju kujtohet besoj një shkarje e tillë kur një ministër i Drejtësisë theksonte që në ditën kur e kishte marrë detyrën, theksoi se do të përkushtohet për ta forcuar korrupsionin. Dhe kjo është realisht ajo çfarë po bëni ju”, u shpreh ai.

Ai ka theksuar se shuarja e kësaj task-force anti-korrupsion ishte gabim dhe se cenon rëndë mekanizmin institucional për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.