Deputeti i VV-së: Qeveria nuk ka arritur t`i nisë gjysmën e detyrave që ka marrë

Deputeti i VV-së, Fatmir Humolli, ka kritikuar Qeverinë Kurti për mospunë.

Ai ka thënë se po kalon gjysma e mandatit dhe kjo qeveria ende nuk i ka filluar as gjysmën e detyrave.

“Duke qenë të vetëdijshëm që jemi në përfundimin e gjysmës së mandatit, kjo qeveri nuk ka arritur akoma as të nisë gjysmën e detyrave që ka marrë nga mandati i dhënë nga qytetarët me 14 shkurtin e vitit 2021. A ka bërë kjo qeveri punë të mira – mendoj se po”, ka thënë Humolli për lajmi.net.

Humolli ka bërë me dije se kjo qeveri po shkëputet nga qytetarët e Kosovës.

“Është për të ardhur keq fakti se ne kemi mbi 2 miliardë euro të fondit pensional të derdhura nëpër botë, ndërkohë që nuk e kemi krijuar akoma Bankën Shtetërore të premtuar, dhe në këtë mënyrë po e vazhdojmë gjakderdhjen financiare të nisur nga qeveritë e kaluara duke lënë paranë tonë të dal jashtë vendit, ndërkohë që krekosemi kur marrim ndonjë kredi “të butë”. Në këtë qeveri ka disa faktor të cilët po e nxisin shkëputjen e qeverisë nga qytetarët, nga ata të cilët i dhanë besimin masivisht”, ka vlerësuar ai.