Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi në një postim të fundit sulmon mediat kritike, por jo dhe ato që njihen si pro pushtetit të kësaj partie, pasi të gjitha portalet raportuan për qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lidhje me veprimet e fundit të Qeverisë në veri, të cilat i cilësuan si të njëanshme.

Abrashi në një postim ka dhënë biografinë e gazetares së “Pavlovic Today” e cila ia ka bërë pyetjen zëdhënësit të DASh-it, Matthew Miller.

Sipas tij, gazetarja në fjalë është “zëri i shtetit të Serbisë në secilën konferencë për media”.

“Përgjigjen e Departamentit të Shtetit e gjejmë në pothuajse të gjitha portalet tona në Kosovë. Kjo nuk është hera e parë. Me lajmet që prodhohen nga ajo, shpesh goditet Qeveria e vendit nga tanët. Por ka një dallim këtu. Ksenija po e përdor median për ta shtyrë përpara agjendën e shtetit të Serbisë në opinion publik. Tanët po i përdorin mediat për ta goditur kryeministrin në opinion publik”.

Në këtë postim, ai nënkupton se edhe DASH-i “po bie pre e agjendës së saj”.

Sidoqoftë, vlen të theksohet se mëngjesin e sotëm, edhe ambasada amerikane në Kosovë shpërndau deklaratën e dhënë nga Miller.