Deputeti i VV-së “mbulon” mediat turke: Me maskë “E dua Muhamedin” në Kuvendin e Kosovës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, javën që lam pas u paraqit në seancën e Kuvendit me një maskë mbi të cilën shkruante “E dua Muhamedin”, kjo si kundërpërgjigje ndaj institucioneve që nuk i reaguan siç tha ai, ambasadorit në Francë, Qëndrim Gashi.

E në fakt kjo përpos që u vërejt këtu në Kosovë, siç duket ka marrë jehonë edhe në mediat e Turqisë, vend ky që është përfshirë në debat të ashpër me Francën, pas vrasjes së 18 vjeçarit i cili i preu kokën një mësuesi që shpërndau kartikaturat e profetit Muhamed.

Agjencia e njohur e lajmeve Anadoly Agency, ka shkruar rreth këtij veprimi të deputetit kosovar.

“Reago me qetësi e butësi, mos fyej e mos përqesh. Muhamedi a.s. është dërguar mëshirë për njerëzimin. #shkarkimPo #ndjekjePenalePo”, ka shkruar Rrahmani në një fotografi të publikuar nga Kuvendi në rrjetin social Facebook.

Kujtojmë se i gjithë ky debat vjen pasi ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi shpërndau një artikull të gazetës franceze “Le Figaro”, ku po ashtu paraqiteshin karikaturat e profetit Muhamed, të publikuara fillimisht nga revista satirike Charlie Hebdo.

Pas kësaj, në vend erdhën reagime të shumta nga njerëz të cilët kërkuar shkarkimin e ambasadorit.

Nuk vonoi shumë, Gashi doli me një sqarim publik për opinionin ku tha se qëllimi i tij nuk ka qenë të fyej besimtarë e asnjë feje, teksa shtoi se do të solidarizohet gjithmonë me viktimat dhe se toleranca nuk avancohet me mosdije.