Deputeti i VV-së e vazhdon debatin: Jam kundër fertilizimit të asistuar, mund të ndodhë incesti

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani i cili është shprehur publikisht kundër Projektligjit për Shëndetin Riprodhues, ka dhënë arsyet pse mban këtë qëndrim.

Ai për gazetën Blic, citohet të ketë thënë se nga kjo mund të ndodhë edhe incest.

“Po ashtu është e rrezikshme për shkak që nëse dhuruesi apo donatori ka edhe familjen e vet dhe ka fëmijët e tij dhe në njëfarë mënyre ka dy familje, familjen me gruan dhe atë që ka kërku donacionin. Në një të ardhme mund të takohen djali që e ka me familjen e tij dhe vajza me familjen dhuruese dhe martohen, ky do të çonte në incest. Unë nuk do të mundem asnjëherë të votoj një ligj të tillë që ata pa vullnetin e tyre të krijojnë incest sepse ata nuk e dinë, sepse po ta dinin nuk do ta bënin…” – ka thënë ai.

Ndërkohë, para disa ditësh u krijua një debat në lidhje me këtë çështje, e madje pikënisje kishte qëndrimet e kundërta të deputetit Rramani ndaj bashkëpartiakes së tij, Saranda Bogujevci, e cila foli disa fjalë frymëzuese në Kuvendin e Kosovës.

Deputetja qysh në fjalët e para e denoncoi me të drejtë karakterin seksist të shoqërisë, dhe standardet e dyfishta gjinore.

“Kur i rregullojnë gjanat në shoqërinë tonë sa e lehtë është që vendimet të merren për ta determinu ne si gra se qysh vendosim ta jetojmë jetën tonë. Diçka që nuk parashihet në pjesën e burrave,” – u shpreh ajo.

Ajo foli edhe në lidhje me çështje personale.

“Unë po du me kanë e sinqertë edhe publikisht me thanë këtë pjesë që unë përderisa nuk e kam pasë mundësinë të jem në lidhje apo të jem në lidhje martesore apo çfarëdo forme tjetër, kam dashtë me u ba nanë.” – ka thënë ajo.