Deputeti i VV-së: Do t’u kthehemi protestave, një vendim i tillë nuk respektohet

Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka hapur rrugën formimit të një qeverie të re me një votim 7 pro dhe 2 kundër dekretit të Presidentit, Hashim Thaçi. Gjykata thotë se, mospropozimi i mandatarit nga Vetëvendosje është përpjekje për të bllokuar procesin e formimit të një qeverie të re dhe ndaj kjo cilësohet si një refuzim, çka i hap rrugën të mandatuarit të LDK, Avdullah Hoti drejt postit të kryeministrit.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me Euronews Albania, deputeti i Vetëvendosjes Dimal Basha e cilësoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese si një nga vendimet më skandaloze të marra ndonjëherë, ku në shkelje të hapur të kushtetutës, presidenti ka marrë rolin e kuvendit.

Sipas  Bashës, zgjidhja e vetme e kësaj situatë janë zgjedhjet, për të shkuar siç tha para sovranit, i cili duhet të legjitimojë kuvendin, që sot sipas tij është jolegjitim.

“Ne kemi bërë disa premtime para zgjedhjeve bashkë me LDK që të qeverisim ndershëm dhe të luftojmë korrupsionin. Sot LDK po kërkon të bëjë një kryeministër me listën serbe, që është dora e Vuçiçit në Beograd dhe partitë e tjera që kanë qenë e mbeten përgjegjëse për korrupsionin për 20 vjet në vend”, tha ai.

“Zgjidhja e këtij problemi janë zgjedhjet dhe kuvendi për shkak të mungesës së legjitimitetit duhet t’i kthehet sovranit. Çdo sondazh sot i jep VV mbi 50 për qind. Kanë ndryshuar rrethanat, premtimet janë thyer, duhet të kthehemi tek sovrani që do të vendosë kush do të drejtojë vendin”, tha  Basha.

Teksa nuk pranoi skenarët e artikuluar së fundmi për mundësinë e bllokimit të zyrave nga vetëvendosja pas vendimit të Kushtetueses, z. Basha theksoi se VV do t’i kthehet protestave, pasi siç tha një vendim i padrejtë, edhe kur vjen nga një gjykatë si në këtë rast, nuk duhet të respektohet.