Deputeti i Vetëvendosjes që votoi kundër projektligjit për pagën minimale jep arsyet, shprehet i pakënaqur me ministrat e Kurtit

Deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli ka votuar sot kundër Projektligjit për pagën minimale. 

Humolli në një prononcim për Demokracia.com  i ka treguar arsyet pse votoi ndryshe nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes.

Deputeti llapjan tha se propozimi nga Grupi i LVV-së ka shkuar pa u konsultuar fare me të.  Sipas tij, kjo është jo korrekte në raport me veteranët e luftës që të mos zgjidhen problemet e tyre.

“Votova se në rend të parë u shpreh se është në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, pa u konsultuar fare me mua dhe është jokorrekte me u sill në raport me veteranët e luftës duke e lënë anën ligjore që me i zgjidh problemin e veteranëve kur ne e dimë në bazë të përvojës time personale që kontrata të qirasë që e kam pas me një partner 30 seanca janë zhvillu për me e prish një kontratë të qirasë, e tash llogarite çfarë dëmi iu bëhet veteranëve të luftës në qoftë se iu lihet kësaj gjykate dhe kjo po më duket një lloj hipokrizie e veçantë. Për këtë nuk e kam votu.”, ka thënë Humolli për Demokracia.com.

Ai ka folur edhe për raportet e tij me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Unë raportet i kam shumë korrekte edhe në përgjithësi deputetët e Vetëvendosjes më njohin mirë. Unë  kamë kërkuar që mos me qenë pse e listës së Vetëvendosjes edhe me i ndihmu gjatë fushatës, por Albini ka thënë kam nevojë me qenë ti duke i ditur qëndrimet e mija personale.”, tha Humolli.

Humolli që është prej zërave të pakët kritik brenda grupit të LVV-së, ka kritikuar edhe ministrat e Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.

“Unë nuk jam në politikë për hatër të askujt, unë në politikë jam për me ndryshu gjendjen në kuptimin pozitiv si mendoj jo me iu përshtat dikujt tjetër. Ka zëra kritik brenda LVV edhe kritika e fuqizon VV dhe jam i bindur që ka me reflektu për arsye që po harrojnë se ne e kemi bartë përgjegjësinë. Përshembull unë e kam bartur përgjegjësinë e 10 mijë votuesve te Qeveria. Ministrat shpeshherë po harrojnë që na përfaqësojnë neve.”, u shpreh Humolli për Demokracia.com.

Deputeti Humolli tha se është i pakënaqur me gjendjen në Kosovë.

“Unë jam i pakënaqur me gjendjen në përgjithësi. Unë kam hy në kuvend që më ndyshu sepse një pjesë nuk besojnë në energjinë e popullit tonë se ka potencial dhe resurese. Në qoftë se nuk besojnë pse e marrin përgjegjësinë për me drejtu vendin.”, tha Humolli.