Deputeti i PDK-së përkrah Qeverinë Kurti: Koncept dokumenti për konfiskimin e pasurisë nismë e mirë, uroj që pushteti të mos tërhiqet

Deputeti opozitar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu ka thënë se ideja për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme është nismë ligjore që duhet të vazhdohet.

Deputeti i PDK-së ka thënë se do të kontribuoj në këtë nismë ligjore kurdo që projektligji të vij në Kuvend.

“Në Kuvend nuk ka asnjë nismë ligjore deri më tani, është një koncept-dokument i aprovuar në Qeveri, kur të vije në Kuvend kemi me dhënë kontributin. Uroj që Qeveria mos të tërhiqet prej kësaj nisme por të vazhdojë procedurat që i takojnë sipas Kushtetutës dhe sipas ligjit”.

Ai ka inkurajuar Qeverinë që koncept dokumentin e aprovuar ta kthej në ligj.

“Nuk kemi asnjë dokument në Kuvend sa i përket ligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, unë e inkurajoj Qeverinë që të vazhdojë me atë koncept-dokument që e ka bërë publik”.