Deputeti i PDK-së kritikon Qeverinë Kurti: Vlera e koeficientit të jetë minimalisht 120 euro

Ferat Shala, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka mbajtur një fjalim relativisht të gjatë në Kuvendin e Kosovës duke komentuar ligjin për paga.

Edhe më saktësisht, Shala komentoi koeficientin, i cili u bë publik dje nga ana e kryeministrit Albin Kurti. Sipas tij, Qeveria Kurti duhet të reflektojë, ngase një vlerë e tillë e koeficientit do të ketë ndikime negative.

Tutje, deputeti i PDK-së vlerësoi se vlera e koeficientit duhet të jetë 120 euro minimalisht.

“Fatkeqësisht ky veprim i Qeverisë hap mundësinë dhe stimulon ikjen e fuqisë punëtore dhe profesionistëve në kërkim të alternativave më të mira drejt Evropës. Pra stimulon shpërnguljen e rinisë dhe zvogëlon shpresën për një jetë normale në Kosovë. Prandaj grupi jonë parlamentar kërkon që vlera e koeficientit të jetë 120 euro. Në të kundërtën, lëmë të hapur mundësinë të ndjekjes të rrugëve ligjore në kërkim të së drejtës elementare qytetarë për barazi dhe jodiskriminim për të gjithë përfituesit e ligjit të pagave.” – tha ai në Kuvend.