Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve gjatë ditës së sotme ka protestuar para Kuvendit të Shqipërisë.

Protesta, ishte e thirrur nga opozita në Shqipëri, e cila po kërkon qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme. Ku, sipas opozitës kryeministri Edi Rama, ka ardhur në pushtet me vota të vjedhura.

Ballkani.info ka kontaktuar me deputetin nga radhët e Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, i cili ka potencuar që edhepse protesta është përfunduar ka qytetarë të cilët nuk po pranojnë të largohen dhe se me çdo kusht po e kërkojnë rrëzimin dhe largimin e Ramës.

“Protestuesit janë të grumbulluar para oborrit së Partisë Demokratike dhe në pjesën e rrugës që është afër PD-së, dhe nuk pranojnë që të largohen.
Ndërkohë shprehin mbështetjen e tyre për Partinë Demokratike dhe kërkojnë rrëzimin e Qeverisë dhe largimin e Ramës”, ka thënë Boçi.

I pyetur nëse protestat janë e vetmja rrugë për rrëzimin e Qeverisë dhe largimin e Ramës, Boçi, shprehet që ashtu siç ka ndodhur me djegien e mandateve, njëjtë do të vazhdohet edhe me protesta.

“Rrëzimi është proces dhe protesta është një hap sikurse ishte hap edhe dorëzimi i mandateve. Dhe, ndërkohë që ky proces vazhdon. Ne, presim reagimet e Ramës, reagimet e Qeverisë, rruga e vetme e shpëtimit është dorëheqja dhe krijimi i qeverisë tranzitore. Pasi kjo është zgjidhja politike që diskutohet sot, parlamenti është monopartiak , qeverisja ka pushuar së funksionuari sepse deri më tani ajo ska qeverisë vetëm ka grabitur dhe për këtë arsye dhe them që zgjdhja e tij është afër dhe kjo varet nga reagimi i arsyeshëm, i një kryeministri të paarsyeshëm. Nuk pritet shumë nga ai, por e vetmja zgjidhje për atë është dorëheqja dhe largimi”, ka shtuar Boçi.

Tutje, deputeti thekson se Lulzim Basha, ka artikuluar dhe dorëzimin e tij para organeve të drejtësisë, për të gjitha ato të këqija që ka shkaktuar dhe vepra penale që ka konsumuar përgjatë mandatit të tij si kryeministër.

Boçi, shton se përderisa është vullneti i qytetarëve opozita do të jetë afër tyre.

“Sigurisht, do të jemi në kontakt me qytetarët, nëse ata e kërkojnë një gjë të tillë përmes protestës, ne do ta bëjmë”, ka thën deputeti.

Ndërsa, i pyetur mbi kënd bie përgjegjësia në rast të eskalimit të protestës, Boçi, thotë se përgjegjësia është qytetare dhe kur bëhet fjalë për kërkesat e qytetarëve, pranohen të gjitha sakrificat.

“Në rast se eskalojnë protestat përgjegjësia është qytetare. Dhe, përgjegjësia është qytetare, është burimi i demokracisë dhe funksionimi i saj. Dhe, përballë kërkesës qytetare pranohen të gjitha përgjegjësit dhe të gjitha sakrificat”, ka shtuar deputeti.

Deputeti, shprehet i bindur që rrëzimi i Qeverisë dhe largimi i Edi Ramës, do të ndodhë në formë të dorëheqjes ose në formë të protestës qytetare.

“Nëse nuk reflekton Edi Rama, do të vazhdojmë të intestifikohemi deri në rrëzimin e tij, nuk ka rrugëdalje për Ramën, përveç se largimit, të zgjedhi formën e dorëheqjes ose formën e largimit, në forma të protestës qytetare, që do e vendosin qytetarët”, ka përfunduar deputeti Boçi. /Ballkani.info/