Deputeti i kërkon ndjesë publike banorëve të Astirit

Deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu i ka kërkuar falje publike banorëve të zonës së Astirit, shumica e të cilëve do të mbeten pa shtëpi për shkak të projektit të Unazës së Madhe në hyrje të Tiranës.

I ftuar në emisionin Top Talk, Balliu i kërkoi ndjesë banorëve në emër të PD-së për faktin se në kohën e qeverisjes së demokratëve, këta të fundit nuk u kishin legalizuar banesat e bizneset.

“Janë rreth 500 000 legalizime që duheshin bërë dhe i kërkojmë falje banorëve, por ne nuk shembëm asnjë shtëpi”, tha Balliu.

Në lidhje me reagimet e deritanishme nga ana e maxhorancës së majtë, demokrati u shpreh se nga goja e kryeministrit dhe kryebashkiakut Veliaj kanë dalë deri më tani vetëm gënjeshtra.

“Bashkia e Tiranës është ideator i projektit dhe korrupsioni nuk është vetëm te tenderimi fiktiv i tij.

Kjo qeveri nuk ka të ngopur. Kryeprokurorja duhet të nisë hetimet, por ajo është zëdhënëse e Malavitës, vetëm i mban ison qeverisë. Veliaj po bën shoë sepse është projekt i tij. I shkon në shtëpi banorëve fiktivë dhe i thotë rrini sa të doni.

Po i dhanë zgjidhje qytetarëve, ata ikin dhe lirojnë rrugën, por zgjidhja që ka dhënë qeveria është tallje. Të vijë Veliaj ose Rama që të bisedojnë e të gjejnë një zgjidhje”.-tha Balliu.