Deputeti gjerman: Të sqarohet menjëherë a janë stacionuar në Serbi forcat e Wagner

Anëtari i Bundestagut dhe raportuesi për Ballkanin perëndimor, Adis Ahmetovic ka reaguar për zhvillimet aktuale që po ndodhin në veri të Republikës së Kosovës.

Ai ka thënë se ajo çfarë po ndodhë në mes të Kosovës dhe Serbisë është tepër shqetësuese. Ahmetovic ka potencuar se Beogradi në vend të vendosjes në gatishmëri të forcave ushtarake dhe bllokimit të rrugëve që çojnë në pika kufitare duhet që përfundimisht të shpreh gatishmëri për të negociuar me qëllimit të parandalimit të një konflikti të armatosur.

Ahmetovic shton se pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare, përfshirë kryeministrin e Kosovës që i kërkoi KFOR-it të heq barrikadat, rrugë kryesore vazhdojnë të jenë të bllokuar dhe pika kufitare të mbyllura.

Ai gjithashtu ka thënë se bazuar në informacione ekzistuese ende të pa konfirmuara, forcat e grupit Wagner “janë vendosur në Serbi” dhe sipas tij kjo kërkon një sqarim të menjëhershëm.

“Tani më shumë se kurrë, BE-së dhe SHBA-së i kërkohet të ndërmarrin masa të menjëhershme konkrete për të përjashtuar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të siguruar paqen në Kosovë, për shembull duke rritur përsëri numrin e trupave të KFOR-it në vend, të cilat kanë dëshmuar vlerën e tyre si një spirancë e stabilitetit në rajon. Llogaritja e qartë e përpjekjes për të përsëritur një kapitull të errët në histori nuk duhet të lejohet të ketë sukses.”, ka thënë Ahmetovic.