Deputeti egjiptian: Duam Ministrinë e Kulturës të tregojmë që kemi kulturë

Deputeti i zgjedhur nga Partia Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka thënë se komunitetet në Kosovë duan që të jenë partnerë në qeverinë e ardhshme, e të mos shihen më vetëm si shtesë për numra. Ai ka kërkuar që komunitetit egjiptian t’i besohet udhëheqja e Ministrisë së Kulturës.

Në Interaktiv të KTV-së, Berisha ka thënë se komunitetet kanë kërkuar që të shohin programin e dakorduar mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai ka thënë se s’ka qenë vendim i mirë që nuk janë ftuar komunitetet në bisedime, por ka deklaruar se kanë marrë zotimin e Albin Kurtit të Vetëvendosjes se do të mund të shtojnë pikat e tyre.

“Edhe në të kaluarën, por edhe në këtë marrëveshje me këtë qeveri, ne s’jemi vetëm komunitete si deputetë shtesë, por ne jemi partneri i tretë për krijimin e qeverisë, dhe pos obligimeve që ka Kushtetuta po tentojmë të kemi pozicion më të mirë. Të marrim përgjegjësi. Ne jemi të interesuar të marrim pjesë me përgjegjësi. Duam të jemi pjesë e iniciativave dhe e ndryshimit në Kosovë. Jemi të interesuar të jemi në pozicion më të mirë. Derisa jemi në qeverisje normalisht duam të marrim pjesë në proceset që do të kalojmë. Jemi në përkrahje të qeverisë, por më s’duhet të trajtohemi si ‘viktima’ apo si numra. Ne jemi partnerë seriozë. Mund të ndodhë të jemi edhe opozitë kur s’përmbushen nevojat dhe kërkesat që kemi. S’ka asgjë të keqe edhe po të jemi tash në opozitë”, ka deklaruar Berisha.

“Në fazën e konsultimit të programit ne s’ishim pjesë, që mendoj se ishte gabim. Në të kaluarën s’ka pasur program, si e këtij modeli. Ka qenë thjeshtë një marrëveshje pa program. Komunitetet është thënë se do të kemi pozicion më të mirë. Jemi të interesuar të ketë komponim edhe me ne. Të ketë analizë paraprake e të shohim që qeveria në ardhje ka program për ne. Kurti ka thënë që ka dhe ka thënë po ashtu se programi do të plotësohet me pjesën e programit tonë. Ne këtë do ta bëjmë. Ishte e palogjikshme dhe ne besojmë në qeverisje, por çka nëse ai program s’përputhet me kërkesat tona. E di që ka program edhe për borde, menaxhim të institucioneve, dhe çka nëse komunitetet s’janë pjesë e këtyre institucioneve. Por po presim të shohim programin e do të tregojmë pozicionin tonë karshi këtyre. Duhet të na drejtohen më shumë si partnerë. S’jemi shtesë për shtetin, por pasuri”, ka vazhduar ai.

Sipas Berishës, kufizimi në vetëm 12 ministri nuk është i favorshëm për komunitetet. Ai ka thënë se kjo ka shtuar problemin për konsolidimin te komunitetet për të gjetur udhëheqësin e ministrisë së caktuar për ta.

“Kufizimi në 12 ministri, i referohet një neni se nëse Qeveria do të ketë 12 ministri, një do të kenë serbët e një komunitetet tjera. Nëse janë më shumë se 12, komuniteteve u takojnë tri ministri. Kufizimin në 12 ministri ne e shohim si të tepruar sepse ne jemi 10 deputetë të komunitetit joserb dhe e kemi problem konsolidimin tonë. Fuzionimi u bë pa ne, dhe neve s’na është dhënë mundësia të shprehim pakënaqësinë tonë e do të jetë shumë vështirë për ne sepse kërkojnë të udhëheqin ministri. Duhet të ndryshojë këtu e presim të reflektojë në pozicione tjera, e sidomos në dy zëvendësministra”, ka shtuar ai.

Berisha ka kërkuar që koalicioni LVV-LDK t’u ofrojë Ministrinë e Kulturës “për të dëshmuar se ne kemi kulturë e jemi të gatshëm të punojmë e të dëshmohemi se dimë të udhëheqim”.

“Kemi garantuar dhe kemi thënë se do të hymë në Qeveri sepse është radha jonë. Është obligim kushtetues që të respektohemi të gjithë barabartë, duke mos qenë kundër minoriteteve tjera, por praktika ka treguar se ishin vetëm dy komunitete në qeverisje. Kemi kërkuar që pasi që ishte votim ndryshe, pasi që jemi dy deputetë egjiptianë, kemi thënë që është e udhës dhe është morale dhe ligjore që kësaj radhe të na besohet neve një ministri. Kemi biseduar me të tjerët dhe ata kanë pretendimin të udhëheqin, ka mbetur në duart e zotit Kurti për të vendosur. Kur kam dalë publikisht ne kemi thënë se duhet të udhëheqim një ministri, e shumë ofendime kemi marrë e na kanë thënë se s’duhet të udhëhiqni, s’jeni më shumë se për t’u marrë me mbeturina. Kjo është pikërisht një nga arsyet për të ndryshuar mentalitetin e njerëzve se ne mund të bëjmë më tepër. Duam të na japë mbështetje qeveria Kurti. Të na jepet një e drejtë që na është mohuar më herët. Po ashtu po flitet se duan të na lënë ministrinë e Kulturës, por që kulturën si dikaster ta heqin sepse s’dimë të menaxhojmë. Po bëj thirrje të mos na paragjykojnë me formën e tillë. Të na japin besimin. Të na japin rastin të dëshmohemi. Gjithmonë kemi vërtetuar këtë dhe të na japin mundësinë e të dëshmojmë veten. Bëj thirrje të na lënë komponenten e Kulturës sepse kemi kulturë e do ta dëshmojmë. Nëse na japin besimin do të presim vlerësimin në fund. Të na japin përgjegjësi e të mos na paragjykojnë. Jemi pjesë e shtetit”, ka deklaruar më tej ai.

Berisha në fund ka thënë se “nëse është çështja e presidentit bllokada në koalicionin VV-LDK, ne jemi të gatshëm të ofrojmë zgjidhjen”.